KLOS- Një ngjarje tragjike është regjistruar pasditen e djeshme në Klos, ku një 39-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë në lumin Mat, teksa kryente stërvitje me litar. Viktima është identifikuar si Erkin Lika, i cili dyshohet se ka pësuar aksident teksa ndodhej në shkëmbinjtë pranë Urës së Vashës, në zonën e Klosit.
Sipas informacioneve paraprake, Lika ndodhej në zonë së bashku me grupin, ndërsa dyshohet se ka rrëshqitur nga shkëmbinjtë teksa po fotografonte pjesëtarët e ekipit, duke rënë në humnerë dhe duke humbur jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e kërkim-shpëtimit, si dhe polumbarët e repartit RENEA, të cilët kanë vijuar operacionin për gjetjen dhe nxjerrjen e trupit. Mësohet se kërkimet për gjetjen e trupit të pajetë të Erkin Likës vazhdojnë poshtë Urës së Vashës dhe përreth.
Erkin Lika ishte pjesë e një grupi të kërkim-shpëtimit, i angazhuar në operacione për shpëtimin e personave të përfshirë në aksidente, ndërsa ishte i apasionuar pas alpinizmit./ZËRI