Aktualitet

Trafik droge drejt Greqisë, ish-zv/drejtori i Kufirit në Korçë dënohet me 7 vite e 4 muaj burg

Sipas akuzës në të dyja rastet Pasho ndodhej fizikisht në Kapshticë dhe dyshohet se kishte ndërhyrë në procedurat e kontrollit kufitar për të mundësuar kalimin e ngarkesave me drogë.

M.K.
Trafik droge drejt Greqisë, ish-zv/drejtori i Kufirit në
Stiljan Pasho

Ish-zv/drejtori i Kufirit në Korçë Stiljan Pasho është dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim pasi u shpall fajtor për trafikimin e lëndëve narkotike në bashkëpunim në dy episode të ndodhura gjatë viteve 2023 dhe 2024. Sipas akuzës ai dyshohet se ka përdorur pozicionin e tij në Policinë e Kufirit për të lehtësuar kalimin e automjeteve që transportonin drogë drejt Greqisë.

Hetimet e Prokurorisë së Korçës për këtë çështje çuan në ngritjen e akuzës ndaj Pashos në fillim të vitit 2025. Gjykata e dënoi fillimisht me 11 vite burg, por pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar masa e dënimit u ul me një të tretën duke u caktuar përfundimisht në 7 vite e 4 muaj burgim.

Gjatë procesit ish-zyrtari policor nuk e pranoi akuzën e trafikimit të narkotikëve. Ai pretendoi se veprimet e tij përbënin shpërdorim detyre, por gjykata nuk e konsideroi të besueshëm këtë version.

Një nga episodet për të cilat u hetua Pasho lidhet me 27 nëntorin 2023. Sipas dosjes një automjet tip 'Passat', ku ishin fshehur 26 kilogramë hashash kaloi përmes pikës kufitare të Kapshticës. Në këtë rast ai akuzohet se bashkëpunoi me Lorenco Likën dhe Ervin Ibin të cilët u arrestuan më pas në pikën kufitare të Kristalopigy në Greqi.

Rasti i dytë daton më 6 maj 2024 dhe lidhet me Elton Grabockën, i cili u arrestua së bashku me Pashon. Edhe ai u akuzua për trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe u dënua me 8 vite e 8 muaj burgim nga 13 vite që ishte masa fillestare para uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ndërkohë Lorenco Lika dhe Ervin Ibi janë arrestuar nga autoritetet greke ku çështja e tyre është shqyrtuar nga Gjykata e Apelit të Maqedonisë Perëndimore.

Sipas akuzës në të dyja rastet Pasho ndodhej fizikisht në Kapshticë dhe dyshohet se kishte ndërhyrë në procedurat e kontrollit kufitar për të mundësuar kalimin e ngarkesave me drogë./ZËRI

Poll

MOS HUMB