Aktualitet

Tensionet në Aeroportin e Vlorës, reagon sërish Pacolli pas rikthimit në kantier: Dëmtime të shumta, janë zhdukur pajisjet

Në reagimin e tij, Pacolli pretendon se gjatë inspektimit janë konstatuar dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë dhe pajisje, përfshirë monitorë, dyer automatike, sinjalistikë, kuadro elektrikë, gjeneratorë dhe materiale të tjera teknike, si dhe zhdukje të një pjese të pajisjeve dhe veglave të punës.

zh.ll
Tensionet në Aeroportin e Vlorës, reagon sërish Pacolli pas
foto ilustrim: kantieri-behgjet pacolli

VLORË- Tensionet janë rikthyer këtë të hënë në kantierin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, ku janë shënuar përplasje mes punonjësve dhe forcave të sigurisë së kompanive të përfshira në projekt. Punonjës të kompanisë Mabco dhe nënkontraktorëve të saj kanë hyrë në ambientet e aeroportit për të rinisur punimet, ndërsa janë përballur me përplasje nga ana e punonjësve të kompanisë tjetër dhe rojet e sigurisë.

Ndërkohë, biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish përmes një postimi publik, duke deklaruar se gjendja në të cilën është gjetur kantieri është shqetësuese. 

Në reagimin e tij, Pacolli pretendon se gjatë inspektimit janë konstatuar dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë dhe pajisje, përfshirë monitorë, dyer automatike, sinjalistikë, kuadro elektrikë, gjeneratorë dhe materiale të tjera teknike, si dhe zhdukje të një pjese të pajisjeve dhe veglave të punës.

Pacolli i ka cilësuar këto zhvillime si akte të qëllimshme që, sipas tij, përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj mundit, duke kërkuar hetime nga organet kompetente dhe nga SPAK, ndërsa thekson se projekti do të vazhdojë pavarësisht pengesave dhe dëmeve të shkaktuara.

Postim i plotë i Pacollit:

Aeroporti i Vlorës
Sot pas 5 javësh nga sekuestrimi i paligjshëm dhe i dhunshëm i objektit të Terminalit dhe godinave përcjellëse, nga grupe të caktuara kriminale, që po tentojnë të përvetësojnë në mënyrë huliganeske dhë të kundërligjshme VIA-n – një shoqëri ku Mabco zotëron 98% të aksioneve – Mabco arriti të rikthehet në kantier për të vijuar dhe përfunduar punimet, në zbatim të vendimeve të Asamblesë së Ortakëve, vendimit të Gjykatës së Lartë, si dhe kërkesës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Kryeministrit të Shqipërisë.
Megjithatë, ajo që u konstatua gjatë inspektimit të objektit është tronditëse, e dhimbshme dhe krejtësisht e papranueshme. Një vepër e ndërtuar me vite pune, përkushtimi, sakrificash të panumërta dhe investimesh shumë të mëdha financiare është gjetur rëndë e dëmtuar, e keqpërdorur dhe e ekspozuar ndaj akteve të vandalizmit, huliganizmit dhe vjedhjes.
Janë konstatuar dëmtime serioze në materiale dhe pajisje, përfshirë monitorët informues, dyert, dyert automatike, pllakat, panelet, sinjalistikën, kuadrot elektrike, gjeneratorët e energjisë dhe pajisje të tjera të rëndësisë kritike. Për më tepër, një numër veglash, pajisjesh dhe materialesh në pronësi të Mabco-s dhe nënkontraktorëve të saj rezultojnë të jenë zhdukur.
Këto nuk janë thjesht dëme materiale. Këto janë akte të qëllimshme që përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj mundit, punës së ndershme dhe përpjekjeve të qindra profesionistëve që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti strategjik. Çdo monitor i shkatërruar, çdo derë e dëmtuar dhe çdo pajisje e vjedhur përfaqëson jo vetëm një humbje financiare, por edhe një mungesë të thellë respekti ndaj punës, sakrificës dhe investimit të bërë ndër vite.
Huliganizmi nuk ka ndalur me kaq. Vandalizmi i qëllimshëm ndaj objektit ka shkaktuar pasoja të mëtejshme. Për shkak të temperaturave të larta, mungesës së qarkullimit të ajrit dhe mosfunksionimit të kushteve minimale teknike, janë dëmtuar sisteme mekanike, elektrike dhe grupet gjeneruese, duke rritur ndjeshëm kostot dhe kohën e nevojshme për rikuperimin e dëmeve.
Është e dhimbshme të shohësh se si një aset strategjik kombëtar, i ndërtuar me aq mund, përkushtim dhe investime të jashtëzakonshme, është lënë të shkatërrohet nga njerëz pa skrupuj, të cilët me veprimet e tyre kanë dëshmuar se synimi i tyre nuk ka qenë zhvillimi i projektit, por pengimi i tij. Këto veprime ngjallin dyshime serioze se shkatërrimi i qëllimshëm i pronës ka pasur për qëllim jo vetëm ndalimin e punimeve, por edhe fshehjen e veprimeve dhe pasojave që sot po dalin në dritë.
Vandalizmi, vjedhja dhe shkatërrimi i pronës nuk dëmtojnë vetëm Mabco-n. Ato dëmtojnë interesin publik, zhvillimin ekonomik, besimin e investitorëve dhe të ardhmen e një projekti me rëndësi të veçantë kombëtare.
Edhe një herë u bëjmë thirrje organeve kompetente dhe SPAKut që të fillojnë pa vonesë hetime të thella, serioze dhe të pandikuara nga askush. Autorët e këtyre veprimeve, organizatorët dhe nxitësit e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë ligjore për dëmet e shkaktuara. Publiku meriton të dijë jo vetëm kush i kreu këto akte, por edhe cili ishte SHKAKU dhe arsyeja e vërtetë e këtij vandalizmi të ushtruar për javë të tëra para syve të institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe ligjit.
Mabco nuk do të ndalet. Pavarësisht pengesave, dëmtimeve dhe përpjekjeve dashakeqe për të sabotuar, përvetësuar apo shkatërruar këtë investim, puna do të vazhdojë. Aeroporti do të përfundojë dhe do t’u shërbejë qytetarëve, sepse as vandalizmi, as hajnia, as presioni dhe as interesat e ngushta nuk mund të jenë më të forta se ligji, e drejta, vizioni dhe përkushtimi për ta çuar këtë projekt deri në fund.

Edhe më herët gjatë ditës, në një reagim të tij, Pacolli bëri thirrje SPAK-ut për hetime mbi Aeroportin e Vlorës, pa dallime e mbrojtje për askënd.

Tensionet janë rikthyer sot në kantierin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, ku kompania “Mabco” dhe rreth 200 punonjës të saj do të rifillonin punën pas bllokimit prej rreth një muaji.   Hyrja e tyre është bërë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili ka hapur rrugën për vijimin e aktivitetit në kantier.

Mirëpo, gjatë hyrjes në territorin e aeroportit, përfaqësues të “Mabco”-s janë përplasur me rojet e sigurisë së kompanisë 2A Group, duke shkaktuar tensione dhe situatë të rënduar në zonë.

Pas konfrontimeve fillestare, situata ka vijuar edhe me përplasje mes përfaqësuesve të dy kompanive, ndërsa pala e “Mabco”-s ka deklaruar se punimet do të rinisin menjëherë, veçanërisht në zonën e terminalit të aeroportit./ZËRI

Poll

MOS HUMB