Aktualitet

SPAK ka lëshuar urdhër-arrest! Dubai ekstradon në Belgjikë të shumëkërkuarin Denis Matoshi

Media belge “Gazet van Antwerpen” shkruan se Dizdari është dënuar me 10 vite burg për rolin e tij në aktivitetin e trafikut të drogës.

F.I
SPAK ka lëshuar urdhër-arrest! Dubai ekstradon në Belgjikë
Denis Matoshi

BELGJIKË-Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë vendosur ekstradimin drejt Belgjikës të Denis Matoshit pas një procedure të gjatë ligjore, raportojnë mediat belge.

Denis Matoshi i njohur edhe si Eldi Dizdari dhe me nofkën “shqiptari i gjatë”, pritet të dërgohet në Belgjikë për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia në Antwerp. 37-vjeçari është konsideruar nga autoritetet belge si një prej figurave drejtuese të organizatës kriminale Kompania 'Bello'. Media belge “Gazet van Antwerpen” shkruan se Dizdari është dënuar me 10 vite burg për rolin e tij në aktivitetin e trafikut të drogës.

“Kompania Bello” është grupimi i parë kompleks i organizatave kriminale shqiptare të trafikut të drogës; një biznes me xhiro vjetore prej qindra milionë eurosh, i shtrirë në Amerikën e Jugut, Europë dhe Ballkan. Matoshi dyshohet se ka organizuar transportimin e mijëra kilogramëve kokainë drejt porteve të Antverpenit dhe Roterdamit, duke bashkëpunuar me figura të njohura të botës kriminale belge. 

Në vitin 2020, gjatë operacionit italian “Blanco”, Matoshi u arrestua në Dubai me kërkesë të Italisë. Vendimi i Dubai-t i hap rrugë kthimit të tij në Belgjikë, ku do të përballet me ekzekutimin e dënimit të dhënë nga gjykata e Antwerp-it.

Emri i Eldi Dizdarit është edhe mes 10 urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK në kuadër të aksionit të 16 qershorit të këtij viti, ku u godit grupi i strukturuar kriminal i dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine dhe pastrim parash.

Po ashtu Dizdari përmendej edhe në dosjen hetimore të grupit kriminal të njohur si 'Aruba', të cilin SPAK goditi më 12 qershor, ku u lëshuan 20 urdhër arreste për emra të njohur biznesmenësh si Artur Shehu, Ilir Shtufi dhe Luçiano Koçeku.

Poll

MOS HUMB