
DURRËS- Të shtëna me armë zjarri raportohen mesditën e kësaj të premteje në qytetin e Durrësit, ku për pasojë një person ka mbetur i plagosur. Burime bëjnë me dije se plagosja ka ndodhur në zonën e Xhafzotajt, pas një konflikti të çastit mes autorit dhe personit të plagosur.
Policia ka identifikuar autorin e plagosjes, 30-vjeçarin Arbër Hoxha, dhe thotë se po punon për kapjen e tij.
Ndërsa personi i plagosur, shtetasi Enidor Dedja, 36-vjeç është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
NJOFTIMI I POLICISË:
Rreth orës 11:15, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi E. D.,36 vjeç, banues në Shijak, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar shtetasit A. H., 30 vjeç, banues në Durrës dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/ZËRI