Aktualitet

Të burgosurit e Reçit peticion deputetëve të opozitës: Miratoni amnistinë penale

Të burgosurit: I kërkojmë deputetëve që të tregohen të përgjegjshëm dhe ta votojnë

E.K
Të burgosurit e Reçit peticion deputetëve të
burgu i recit

SHKODËR- Rreth 200 të dënuar në burgun e Reçit i kanë bërë peticion deputetëve që të kalojnë amnistinë penale, dhe thirrja iu drejtohet veçanërisht ligjvënësve të opozitës. Përmes avokatit Anton Kosteri, të dënuarit kanë kërkuar që të jepet një zgjidhje sa më e shpejtë për amnistinë, ku shumë prej të burgosurve do të fitojnë lirinë, ndërsa një pjesë uljen e viteve të dënimit.

Të burgosurit kërkojnë që amnistia të përfshijë uljen e dënimit minimalisht dy vite dhe e dyta i dënuari të konsiderohet personi që vendimi ka marrë formë të prerë deri në ditën që hyn në fuqi ligji.

“Të burgosurit i janë drejtuar me një peticion deputetëve, konkretisht atyre të opozitës që të miratohet amnistia. Të burgosurit më kanë kërkuar që ta parashtroj këtë kërkesë në shenjë humanizmi dhe të lihet pas çdo lloj ndasie politike dhe deputetët të shkojnë dhe të votojnë në Parlament amnistinë.

Votimi i projekt ligjit për amnistinë do e ndajë atë deputet nga të gjitha mendimet se një kah i caktuar mund të ketë interes, gjë që nuk e mendojnë fare. Ata deputet që e votojnë këtë ligj do fitojnë jo vetëm preferencën e të burgosurve por gjithë popullit shqiptar.

I kërkojmë deputetëve që të tregohen të përgjegjshëm dhe ta votojnë. Këtë kërkesë tonën do e dërgojmë edhe në Parlament që të votohet sa më parë. Të burgosurit kërkojnë që amnistia të përfshijë uljen e dënimit minimalisht dy vite dhe e dyta i dënuari të konsiderohet personi që vendimi ka marrë formë të prerë deri në ditën që hyn në fuqi ligji”, u shpreh avokati Kosteri.

Më herët peticione të ngjashme kanë nënshkruar dhe të dënuar në burgje të tjera të vendit. Amnistia penale mbetet peng i përplasjes mes forcave politike në Kuvend, ndërsa prej disa muajsh zvarritet futja për votim në rend dite.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB