
Tiranë- Biznesmeni Lirim Fejzollari, përfituesi i truallit të tokës së ish-shoqërisë shtetërore ‘Buka’ është vënë nën hetim nga ana e SPAK, raporton weblajm. Në truallin e tokës, që u privatizua në kohën kur ministër i Ekonomisë ishte Arben Ahmetaj, i cili prej disa muajsh është shpallur në kërkim është ndërtuar qendra tregëtare Emerald, në zonën e 5 Majit.
Për të njëjtën dosje SPAK ka marrë për herë të dytë si të pandehur vetë Ahmetajn, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Nga arratia vetë Ahmetaj ka deklaruar se ai ka mbrojtur aksionet e shtetit duke i rritur atyre vlerën. Megjithatë sipas SPAK ka prova që fundosin Ahmetajn për shoqërinë e tij me biznesmenin Fejzollari, duke nisur nga komunikime të vazhdueshme mes tyre, te një udhëtim i përbashkët drejt Austrisë. SPAK ka dërguar letërporosi drejt këtij shteti për të marrë më shumë informacion mbi udhëtimin e Ahmetajt.
Pak ditë më parë kanë qenë shërbimet partnere ato që kanë dorëzuar në Spak një materil voluminoz për biznesmenin dhe dyshimet se ai ka ortakëri me ish zv.Kryeministrin. Ortakëri kjo sipas materialeve të dorëzuara në SPAK, që janë realizuar me kompani të fshehura në emër të personave të tjerë.
Aktualisht SPAK ka sekuestruar materiale pranë hipotekës në lidhje me transaksionet në rezidencën e ndërtuar mbi ish truallin e Buka sha. Po ashtu Spak ka kërkuar nga noterët të gjitha kontratat e sipërmarrjes dhe shitjeve të kryera nga kompania e biznesmenit Fejzollari.
Për këtë hetim që ndiqet nga prokurori Elvin Gogaj është marrë në pyetje edhe Ahmetaj para arratisjes e po ashtu edhe biznesmeni. Pritet që pas pak ditësh ndaj biznesmenit të ketë një tjetër fletë thirrje për t’u përgjigjur provave të mbërritura nga partnerët. Ndërkohë vetë Ahmetaj ka këmbëngulur që edhe kjo dosje ndaj tij është kurdisur nga koka e zezë, të cilën ka lënë të kuptohet se e ka brenda kampit socialist./Zëri.ai