
FIER – Një makinë tip BMV ka marrë flakë në ecje në aksin rrugor Fier-Patos, në afërsi të fshatit Portëz. Makina ka qenë duke udhëtuar për në Patos, por se është përfshirë nga flakët e më pas ka përfunduar në kanal.
Për pasojë, shoferi është plagosur, ndërsa është lënduar edhe pasagjeri. Paraprakisht, dyshohet se shkak për flakët është bërë një defekt teknik.
Në vendngjarje ka arritur menjëherë shërbimi zjarrfikës, që ka shuar flakët. Policia dhe ekspertët rrugorë kanë shkuar në vendngjarje, për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 19:50, në aksin rrugor “Fier-Patos”, ka marrë flakë, në ecje e sipër, automjeti tip “BMV”. Nga flakët kanë marë dëmtime në trup drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri, shtetasit E. Sh., 35 vjeç dhe D. Sh., 41 vjeç, të dy banues në Drizë, Fier, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë për shkak të një defekti në mjet. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./Zëri.ai/