Aktualitet

Prek babai i foshnjës që u infektua me HIV: Mori edhe Covid

Babai i fëmijës që u prek me HIV dhe Covid në QSUT tregon peripecitë për rastin e djalit 2 vjeç. Nëna e foshnjës shprehet se janë në borxhe, pasi kanë shpenzuar shumë para për shtrimin në spital të djalit.

D.XH
Prek babai i foshnjës që u infektua me HIV: Mori edhe Covid
Pediatria

TIRANË – Babai i foshnjës, që u infektua me HIV pas mjekimit në QSUT, tha se fëmija ishte infektuar me Covid, por edhe me infeksione të tjera, gjatë qëndrimit në urgjencë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Top Story, burri tha se djali i tij ka lindur në muajin tetor dhe lindja ka qenë normale. Ai shtoi se pasi u pa se foshnja nuk kishte frymëmarrje normale, është dërguar në reanimacion.

Sipas dëshmisë të të atit, duke parë se temperatura e fsoshnjës nuk po ulej, fëmija është shtruar në urgjencën e QSUT, dhe se aty ka bërë diagnozë, ku përpos se me HIV, foshnja ka dalë edhe me infeksione të tjera, përfshirë Covidin.

“Djali im ka lindur në tetor. Lindja ka qenë cezariane normale. Pastaj që ditën e parë kemi konstatuar se djali nuk kishte frymëmarrje normale. Nga verifikimet që i janë bërë nga spitali, doli se kishte destres respirator. U shtrua pesë ditë në reanimacion, u trajtua me terapi e antibiotikë dhe doli në datën 16 tetor 2021 nga spitali.

Ecuria për disa momente ka qenë mirë, frymëmarrja ka qenë e lirë, por më pas kishte probleme dhe bllokime në frymëmarrje. U desh ta shtrojmë në urgjencë. Duke parë gjendjen e rënduar të foshnjës, e kemi shtruar në reanimacionin e vjetër. Gjendja e fëmijës nuk ishte e mirë, për pak i ka shpëtuar intubimit. Pasi kemi dalë nga spitali, gjendja e djalit nuk u rikthye kurrë si më parë. Më datë 26 i nisi një temperaturë aspak normale, shoqëruar me diarre. Ne folëm me doktoreshën dhe na dha një medikament për t’i ulur temperaturën, por sërish gjendja nuk përmirësohej, frymëmarrja rëndohej dhe po zhvillonte infeksione në lëkurë dhe infeksione urinare.

Temperatura nuk ulej, doktoresha që e ndiqte na tha teori që rezultuan negative, gjendja nuk ndryshoi në asnjë moment. Kërkuam një epikrizë, pasi ishim të bindur për ta dërguar jashtë. U hodh hipoteza e imunodeficencës, u shtrua në urgjencë fëmija, gjendja ishte shumë e rënduar më pas, me 60% oksigjen dhe përveç diagnozës që e morëm, foshnja ishte dhe me COVID, lëre viruse të tjera që i mori në spital”, tha babai i fëmijës.

Ndërsa, mamaja e djalit 2 vjeç deklaron se janë në borxhe nga shpenzimet që kanë bërë, sepse shteti nuk i ka ndihmuar.

“Të jem i sinqertë ne jemi çift i ri dhe me pagat që janë në Shqipëri, mezi ia kemi dalë. Jemi në borxhe. Ka punuar vetëm bashkëshorti se unë mbajta djalin. Na kanë ndihmuar të afërmit”, tha nëna e vogëlushit.

Fëmija tashmë 2 vjeç, ishte prekur me HIV, gjatë shtrimit në QSUT. Familjarët shprehen se foshnja u prek dhe nga infeksione të tjera./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB