TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit i ka nisur autoriteteve turke kërkesën për ekstradimin e Dritan Rexhepit, i arrestuar në Stamboll në datën 9 Nëntor. SPAK e ka akuzuar në mungesë Rexhepin për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur kjo në Janar të vitit 2020, pas një konflikti për çështje droge. Më herët kërkesë për ekstradimin e Rexhepit e ka bërë dhe Italia, ku 44-vjeçari shqiptar ka qenë i shpallur në kërkim.
Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës në Janar të vitit 2020, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar gati 4 vite nga ky krim, trupi nuk është gjetur ende, ndërkohë që SPAK ka mbyllur hetimet, ku dhe ka akuzuar zyrtarisht Rexhepin si porositës së rrëmbimit të 47-vjeçarit nga Kamza.
Rexhepi është konsideruar si drejtuesi i kartelit të parë shqiptar të drogës i quajtur ‘Bello’. Edhe pse në kërkim, Dritan Rexhepi bënte një jetë luksi në Turqi dhe jo vetëm.
Ai u kap brenda një vile, ku u sekuestruan edhe sasi të konsiderueshme parash, armë, municione, bizhuteri etj.
Gjatë qëndrimit në Ekuador lidhi kurorë me një vendase, me të cilën solli në jetë dhe dy fëmijë, të cilët ishin në vilë gjatë arrestimit.
-
Si arriti të arratisej nga Ekuadori Dritan Rexhepi
13 Nëntor, 09:58 -
-
Rexhepi ka një historik të gjatë i përfshirë në ngjarje kriminale në Shqipëri, që e kanë pikënisjen në vitin 2007, kur vlonjati akuzohet për vrasjen e dy efektivëve të policisë. Më pas ai ka një seri arratisjesh nga burgjet, qoftë ato shqiptare, qoftë ato italiane.
Pasi shpëtoi nga qelia, Rexhepi e zhvendosi aktivitetin e tij në Amerikën Latine, ku u bë drejtues i klanit Bello që dyshohet se ka sjellë tonelata me kokainë në drejtim të Europës.
/Zëri.ai