
TIRANË- Ka folur 30-vjeçarja që pak ditë më parë braktisi fëmijën e porsalindur, i cili humbi jetën një ditë më vonë në maternitetin Koço Gliozheni në Tiranë. Në një intervistë për emisionin me Zemër të Hapur, e reja ka treguar se e ka mbajtur të fshehtë shtatzëninë nga familja e saj, dhe se lindjen e ka kryer e vetme në garazhin e pallatit.
E reja tregon se babanë e fëmijës e ka lajmëruar kur ka qenë 3-muajshe shtatzënë, por ai ka pasur dyshime në lidhje me atësinë. Në rrëfimin e saj 30-vjeçarja shprehet se nuk e ka dhunuar bebin e porsalindur, dhe e ka lënë te një divan që ishte në garazhin e pallatit.
Më pas tregon ajo, është ngjitur në banesë, ku ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore. E pyetur nëse është penduar, e reja shfaq pendesë, ndërkohë bën më faj dhe babanë e fëmijës së saj, që nuk e mbështeti.
Si nisi shtatzënia
Nuk e kuptova që isha shtatzënë fillimisht, kur isha tre muajshe ia thashë këtij dhe nuk e pranonte. Babain e fëmijës e kam njohur në Korçë, ku kam njerëz të mitë. Jemi njohur në rrjetet sociale. Është 30 e ca vjeç. Kemi komunikuar edhe kohët e fundit. Kishim gati një vit së bashku, ai jetonte me nënën dhe babain, kishte dhe një vëlla jashtë vendit.
Në fillim lidhja ishte serioze, kohët e fundit kemi pasur shumë keqkuptime, gjëra pa vlerë, kërcënime, kërkim llogarie. I thashë që isha shtatzënë në muajin e tretë, familja ime nuk e ka ditur që isha shtatzënë, e kanë mësuar vetëm në javët e fundit. Kisha frikë, se si mund të reagonin. Nuk kanë qenë as në dijeni të lidhjes. Në fillim dukej serioz, por më pas ndryshoi.
Momenti që do lindte bebin
Dola nga shtëpia për të marrë taksi. Më kapën dhimbjet aty, nuk kisha bërë eko, nuk kisha ndjerë shqetësim gjatë muajve të shtatzënisë. Më kapën dhimbjet dhe linda te pallati, isha vetëm. Se mbaj mend mirë orën, por ka qenë mëngjes, fëmijën e lashë aty dhe u largova.
E vendosët në kolltuk fëmijën apo e keni hedhur
Nuk e kam hedhur fëmijën, e vendosa në divan. Asgjë thjesht e linda, e vendosa në divan dhe jam larguar, nuk e kam hedhur. Shkova në shtëpi pasi e linda, isha shumë keq. Jam shumë e penduar. Nuk e kam telefonuar babanë e fëmijës pas lindjes, unë nuk kam telefon fare.
Telefonata e fundit me të është para 2-3 javëve, më shkruajti për të më pyetur si isha. Ai ka qenë në dijeni për shtatzëninë, por thoshte që nuk ishte babai. Telefonin ma ka mbajtur policia, ai duhet të japë sqarime për atë që ka bërë. Unë skam pas lidhje me dikë tjetër në atë kohë.
E reja u la në masën e arrestit të shtëpisë nga Gjykata e Tiranës, ndërkohë që avokatët e saj kërkuan një ekspertizë në lidhje me gjendjen shëndetësore të të resë, përfshirë dhe atë të shëndetit mendor. Familja e vajzës pretendon se në rast se do ishin në dijeni të shtatzënisë, ata do të ishin kujdesur për fëmijën.
/Zëri.ai