
EKUADOR- Arrestimi i 44-vjeçarit Dritan Rexhepi ka qenë kryefjalë dhe në mediat italiane, mbi mënyrën sesi kreu i kartelit të parë shqiptar të drogës “Belo”, arriti që të largohej nga Ekuadori, edhe pse ishte nxjerrë nga burgu, dhe monitorohej përmes një byzylyku elektronik. Pikërisht dështimi i kontrollit të sistemit të burgjeve në Ekuador, kanë bërë që shqiptari t’i shpëtonte përkohësisht dënimit, për t’u kapur më pas të premten në Turqi.
Falë bashkëpunimit dypalësh mes autoriteteve italiane dhe policisë turke, u bë i mundur gjurmimi dhe arrestimi i Rexhepit në Stamboll. Rexhepi është kreu i kartelit të drogës “Bello", i cili menaxhonte trafikun e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në të gjithë Evropën. Ky kartel, sipas asaj që u konstatua nga hetuesit, kishte lindur në një burg, një qeli në Guayaquil, në Ekuador, ku Rexhepi u burgos për një dënim me 13 vjet për trafik droge.
Nga burgu Rexhepi komunikonte me botën e jashtme përmes një sistemi chat-i të koduar dhe arrinte të lëvizte sasi të mëdha narkotike drejt Europës ku droga shitej me markën “Bello”. Zyrat “operative” europiane ishin në Itali, Holandë, Belgjikë, Gjermani, Francë, Norvegji, Austri. Dhe pastaj padyshim Turqia.
Rexhepi arriti të lirohej nga burgu dhe iu kërkua të firmoste dhe të kishte një byzylyk elektronik, por për shkak të një defekti në sistemin e burgjeve dhe drejtësisë ekuadoriane, ai u largua nga Amerika e Jugut. Në vend të tij ka firmosur një person tjetër – sipas asaj që është konstatuar. Karteli shqiptar u zbulua nga hetimet për atë që, në pamje të parë, dukej se ishte "vetëm" një përleshje, e cila ndodhi në Firence në vitin 2015.
Gjatë hetimeve, policia i sekuestroi një telefon njërit prej personave të përfshirë në sherr, duke gjurmuar përmes një kanali të mesazheve të çastit, rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës që menaxhohej nga një “kupolë” shqiptare. Droga mbërriti nga Amerika e Jugut dhe u shkarkua në portet kryesore të Evropës Veriore: në veçanti Antëerp, Bremen dhe Roterdam.
Në vitin 2020, policia italiane i dha goditjen e parë kartelit: 20 shqiptarë u arrestuan ndërsa 11 të tjerë ishin të arratisur. Gjatë operacionit u sekuestruan gati 4 ton kokainë dhe 5.5 milionë euro cash. I arrestuar dhe i dënuar me 16 vite burg nga Gjykata e Firences, ai u arratis nga burgu i Voghera në vitin 2011. Më pas i arrestuar në Belgjikë për kryerjen e grabitjeve të shumta, ai u arratis sërish nga burgu belg. Në vitin 2014 ai u arrestua në Ekuador për trafik ndërkombëtar droge, u dënua me 13 vjet burg dhe ishte përsëri i pagjurmueshëm nga i cili kishte ikur në vitin 2021.
2 vite më vonë Rexhepi arrestohet në Turqi, ndërkohë që mister mbetet se ku do të ekstradohet, pasi ka llogari të hapura me drejtësinë në disa vende, përfshirë Shqipërinë dhe Italinë./Zëri.ai