Aktualitet

Ura e Zogut sërish në rrezik shembjeje

Si çdo dimër, edhe shirat e nëntorit po rrezikojnë urën e Zogut, e cila ishte premtuar që do të rikonstruktohej brenda këtij viti.

k.m.
Ura e Zogut sërish në rrezik shembjeje
Ura e Zogut

MAT- Ura e Zogut është sërish në rrezik për t'u rrënuar! Si çdo dimër, edhe shirat e nëntorit po rrezikojnë urën e Zogut, e cila ishte premtuar që do të rikonstruktohej brenda këtij viti. Megjithatë edhe këtë dimër, është lënë në harresë, duke sjellë edhe reagimin e aktivistëve që edhe sot kanë shkuar për të denoncuar problemet në urë. 

Ura e Zogut sërish në rrezik shembjeje
Ura e Zogut

“Do të qëndrojmë të vendosur për ndjekjen e kësaj kauze e do të shkojmë deri në kallëzime penale për çdo drejtues institucioni që ka nën përgjegjësi Urën e Matit. Për t’i dhënë vëmendjen që kjo trashëgimi meriton kemi organizuar disa aktivitete kulturore. Më 14 shkurt 2023 Kryeministri Rama publikoi projektin për ndërhyrjen emergjente në strukturën e dëmtuar të kësaj ure, duke u shprehur se ky projekt do të financohej dhe zbatohej brenda këtij viti. Përgjatë këtyre 8 muajve pritje, i jemi drejtuar disa here me kërkesa për informacion Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të trashëgimisë kulturore të cilat vazhdimisht përgjigjen se janë në proces tenderimi, por nuk na kanë bëre me dije afatet e tenderimit dhe kur fillon ndërhyrja. Me fillimin e reshjeve kjo ndërhyrje bëhet më e vështirë dhe Ura e Zogut është më e rrezikuar se kurrë. Sot jemi me të njëjtat kërkesa. Kur mbyllen afatet e tenderimit? Kur fillon puna për zbatimin e projektit? Mbetemi të vendosur për ta ndjekur deri në fund këtë kauzë që nuk cenon vetëm kurbinasit por historinë, trashëgiminë dhe identitetin kombëtar,“-thanë aktivistët sot.

Brenda këtij viti duhej te kishte nisur ndërhyrja për të mbrojtur Urën e Zogut në Milot, por nuk dihet përse projekti është shtyrë. Problemet në Urën e Zogut nisen me reshjet e vitit 2021 dhe aktualisht ka deformim, ndërsa ura ka humbur në shtratin e lumit Mat rreth 2 metra duke rrezikuat thyerjen dhe shembjen e saj. 

Ura e Zogut, e njohur si monument kombëtar që prej vitit 1999, është përfshirë në listën e shtatë vendeve të trashëgimisë kulturore më të rrezikuara për vitin 2022 në Europë. Ura e Zogut është një nga më të veçantat në vendin tonë për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve i japin asaj vlerë muzeore. Ajo është ndërtuar nga një inxhinier italian dhe ka marrë emrin e Mbretit Zog, pasi ai ishte vetë ideatori për ndërtimin e urës. Në ato vite ura ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e Epërme që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën. Vepra kulturore që po degradon dita-ditës është e njohur si një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Ajo ndodhet në krahun e majtë të Rrugës së Kombit dhe ura lidhej me Kurbinin, Mirditën dhe Lezhën.

Gjatë muajit Shkurt 2023 një mision ekspertësh nga Europa Nostra dhe Instituti BEI vizituan Urën e Zogut dhe formuluan raportin teknik mbi nevojën e shpëtimit dhe restaurimit të urës bazuar në vëzhgimet e tyre./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB