
TIRANË- Liria e Dritan (Gramoz) Rexhepit ka marrë fund sot në Stamboll. I shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare dhe italiane u kap pas një operacioni në Turqi, ku ai kishte shkuar me një pasaportë false kolumbiane nën emrin e ri që i kishte vendosur vetes, Benjamin Omar Perez Garcia.
Me arrestimin e tij në Turqi, do të pritet edhe ekstradimi i tij për t'u përballur me drejtësinë dhe me krimet që ka kryer ndër vite. Por këtu nis edhe "problemi", pasi nuk është e qartë se ku do të ekstradohet i riu. Në Ekuador, ai kërkohet për t'u përballur me drejtësinë; kërkohet edhe në Itali për përfshirjen e tij në kompaninë "Bello"; ndërsa edhe Shqipëria e kërkon për disa vepra penale, një ndër është edhe pengmarrja dhe vrasja e Jani Prengës.
Është ende e paqartë se në cilin prej vendeve ku ka dosje të hapura do të ekstradohet 43-vjeçari shqiptar, i cili mban mbi shpinë pseudonimin "mbreti i arratisjeve".
Edhe pse në kërkim, Dritan Rexhepi bënte një jetë luksi në Turqi dhe jo vetëm. Edhe pse kishte tentuar që të fshihej dhe të mos binte në sy të Policisë, gjë për të cilën ishte i njohur, duket se kësaj here nuk ia doli. Ai u kap brenda një vile, ku u sekuestruan edhe sasi të konsiderueshme parash, armë, municione, bizhuteri etj. Nga pamjet e nxjerra nga Policia turke, Rexhepi ishte i vetëm në vilë, ndërkohë që gjatë qëndrimit në Ekuador lidhi kurorë me një vendase, me të cilën solli në jetë dhe një fëmijë. Por mesa duket në Turqi kishte zgjedhur që të qëndronte vetë.
43-vjeçari konsiderohet një prej bosëve të drogës në Itali. Ai u arratis pasi u lirua me kusht në vitin 2022 në Ekuador dhe deri më sot, nuk kishte asnjë gjurmë nga ana e tij./Zëri.ai