
TIRANË – SPAK ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkon rikthimin në burg të Jamarbër Malltezit. Dy prokurorët e çështjes shprehen se ai ka kryer korrupsion, duke bashkëpunuar me funksionarë të lartë të kohës. Prorurorët përmendin edhe emrin e kryedemokratit Sali Berisha.
Prokurorët e çështjes kanë thënë se ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova se janë cënuar themelet e shoqërisë në strukturat më të larta. Organi i akuzës thekson se ka parasysh faktin se në këtë rast dyshohet se janë pastruar shuma të mëdha parash. Po ashtu, SPAK nënvizon se koha e aktivitetit kriminal të dyshuar ka zgjatur shumë.
Sipas SPAK, Gjykata e Apelit nuk ka respektuar ligjin, kur zbuti masën e sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’. Dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, që kanë në dorë dosjen ‘Partizani’, i kanë thënë Gjykatës së Lartë se Shqipëria vuan ende nga korrupsioni i lartë dhe se kjo është arsyeja pse qeveria e Shqipërisë ka vendosur prioritet luftën ndaj korrupsionit.
SPAK po ashtu shprehet se veprat penale për të cilat akuzohet Malltezi janë pastrimi i parave dhe korrupsioni, që parashohin dënime me burg. Aq më tepër, në rastin e dosjes “Partizani”, ka pasur bashkëpunim në korrupsion. Struktura e Posaçme Antikorrupsion vlerëson se pastrimi i parave ka impakt edhe në sistemin financiar të një vendi./ZËRI/