
DURRËS- Vetëvrasja e 41-vjeçares pas denigrimit në 'TikTok' ka shokuar vendin. Bashkëshorti dhe djali i saj kanë folur kur janë marrë në pyetje nga Policia e Durrësit, kanë treguar se kishin dijeni për profilin që i ishte krijuar në rrjetin social "TikTok", duke u shprehur se autorja ishte kushërira e parë e viktimës. Bashkëshorti dhe djali që jetonin në Itali, ishin rikthyer në Durrës për të kaluar së bashku Natën e Vitit të Ri, kjo edhe për t'i plotësuar dëshirën 41-vjeçares.
DËSHMITË:
Burri: E zbuluam kush e ka bërë, kushërira e parë e 41-vjeçares. Kushërira nuk e kishte për herë të parë që i shpërndante fotot.
Djali: Na tregoi për fotot e shpërndara, e po ashtu na kishte thënë se donte të vriste veten. Nëna ishte në gjendje të rënduar. Natën e ndërrimit të viteve donte që ta kalonte me ne, të nesërmen e gjetëm të vdekur.
ZËRI u interesua zyrtarisht edhe në Policinë e Durrësit, ku burime na bënë me dije, se video në fjalë është publikuar disa muaj më parë, dhe për këtë ishte bërë kallëzim dhe ishin referuar materialet në prokurori. Aktualisht, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet në lidhje me veprën e dyshuar penale “shkaktim vetëvrasjeje”./ZËRI