
GREQI- Nardi Ismet Idrizi, 37 vjeç është shpallur në kërkim nga autoriteteve greke si autor i dyshuar i plagosjes me armë të tre shtetasve grekë në vendin e quajtur Gazi të Athinës. Hetimet po vijojnë për kapjen e tij dhe Policia greke tashmë ka dalë me dy skenarë se ku mund të jetë fshehur shqiptari.
Së pari dyshimet janë se vlonjati ka shumë të ngjarë të jetë ndihmuar nga bashkatdhetarët e tij për të shkuar jashtë vendit. Gjithashtu sipas një këndvështrimi tjetër autoritetet dyshojnë se 37-vjeçari mund të jetë në Greqi, konkretisht në Evia, ndërsa të tjera informacione thonë se ai është arratisur drejt Turqisë.
Në një tjetër skenar dyshohet se 37-vjeçari ka dy rrugë, të arratiset ose në Shqipëri ose në Itali, ku ndodhen disa nga ish-shokët e tij. Megjithatë, që të ndodhë njëra nga këto gjëra, 37-vjeçari do të duhet të gjejë para dhe një mjet transporti.
Vlonjati Nardi Ismet Idrizi plagosi me armë zjarri një grup të rinjsh pas një sherri banal jashtë një lokali. Fillimisht palët u konfliktuan për arsye banale dhe ishte një prej viktimave që goditi me shpullë njërin prej autorëve. Më herët policia arrestoi edhe mikun e tij Emiliano Jakupin, i cili ishte i pranishëm në automjet dhe ishte pikërisht shkaku që nisi sherri mes dy palëve. Jakupi u tha agjentëve që e arrestuan se nuk kishte qëlluar mbi viktimat, çka duket edhe në videon e publikuar prej autoriteteve. /ZËRI