Aktualitet

Skema e pastrimit të parave, SPAK mbyll hetimet për Rezart Taçin dhe personat e lidhur me të

Nga skema e pastrimit të parave vetë Taçi dyshohet se do të përfitonte të paktën 4 milionë euro

E.K
Skema e pastrimit të parave, SPAK mbyll hetimet për Rezart
Rezart Taci dhe dy te dyshuarit italiane

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të biznesmenit Rezart Taçi dhe personave të lidhur me të. Bëhet fjalë për kunatin e Taçit, Artur Balla, si dhe shtetasit Bledar Lilo, Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli. Të gjithë personat akuzohen për pastrim parash, ndërkohë që sipas SPAK kanë ngritur një skemë komplekse financiare të kundraligjshme, dhe të shtrirë në disa shtete.

Pjesë e kësaj skeme financiare, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.211/1 viti 2022, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal është arritur në konkluzionin se të pandehurit Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, në bashkëpunim me shtetasit shqiptar Rezart Taçi, Artur Balla, Bledar Lilo (të dërguar në gjykim më parë në kuadër të procedimit të lidhur), në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përfitimit monetar në masën 16 %, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.

Shuma monetare që përbën produkt të veprës penale është në masën prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro. Kjo shumë monetare është sekuestruar dhe tashmë është konfiskuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në gjykimin ndaj të bashkëpandehurve në procedimin e lidhur.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 09.01.2024 ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.

SI DO FUNKSIONONTE SKEMA?

Rezart Taçi do të ndihmonte shtetasit italianë që të pastronin dhe të fusnin në banka paratë që vinin nga veprimtari kriminale, e personave që dyshohet se lidhen me mafian e Cosa Nostras. Nga rreth 18 milionë euro që Taçi synonte që ti kalonte nga një bankë ne nivelit të dytë në Shqipëri drejt Zvicrës, ai do të përfitonte rreth 4 milionë euro.

Ka qenë pikërisht Prokuroria e Posaçme, ajo që ka sinjalizuar autoritetet ligjzbatuese italiane për një çështje, ku përveç kunatit dhe ish-truprojës së Taçit në Tiranë, janë përfshirë në hetime nga Antimafia e Palermos, edhe dy italianët: 90-vjeçari Francesco Zummo (i akuzuar dhe hetuar për pastrim parash dhe lidhje me ‘Cosa Nostra-n’) dhe ekonomisti i tij, Fabio Petruzella.

Francesco Zummo, është një nga protagonistët e të ashtuquajturit "thes i Palermos", i cili ka qenë nën hetim nga ish-gjykatësi Giovanni Falcone për lidhje me mafien dhe pastrim parash. /ZËRI

Poll

MOS HUMB