
TIRANË- Një tjetër lëvizje është bërë dje lidhur me mikrokreditë. Denoncimeve që janë deri më tani tek Prokuroria e Tiranës, i është bashkuar një tjetër dosje, kësaj here e dorëzuar nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Sipas burimeve të "Gazeta DITA", ministri i Drejtësisë ka kallëzuar 18 persona. Mes tyre janë: 10 përmbarues, 1 noter, 1 avokat, 1 ekspert vlerësues, 1 administrator dhe 4 kompani mikrokrediti.
Rigels Bejko, Alda Kodra, Florian Shehu, Altin Vako, janë të gjithë përmbarues të një zyre, ndërsa nga një zyrë tjetër janë akuzuar përmbaruesit: Saimir Dogjani, Astrit Kaptelli, Rrok Deda. Helidon Xhindi, Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, nuk i kanë shpëtuar gjithashtu grupit, edhe pse janë përmbarues me licensë të hequr. Të tjerë që u është përmendur emri nga ministri janë: Alban Kote, avokat; Yliana Sejfo, eksperte vlerësuese; Ernela Çuberi, notere; Andis Gjoka, administrator “MCA”. Por edhe kompanitë: MCA, Final, ADCA, TDR Group.
Sipas Gazetës DITA, në kallëzim, ministri Manja ka lënë dhe disa të dhëna për raste konkrete. Raiffeisen Bank, e denoncuar dhe nga ZËRI, ka përcjellë informacion për vendosjen e 21 550 urdhrave të sekuestrimit të llogarive bankare nga përmbaruesit Fatos Alimadhi, Lefter Canaj, Altin Vako.
Ndërsa përmbaruesi Rigels Bejko, ka kryer i vetëm 1966 ankande publike për më shumë se 3 000 prona. Kurt (Kutish) Hysa dhe Irma Hysa nga Borovjani i Dibrës, që kishin marrë një kredi konsumatore tek NOA në 2019, u ka dalë në ankand ara me sipërfaqe 1560 m2 për vetëm 36 240 lekë. Tashmë ara në fjalë që në tetor të vitit të shkuar është në pronësi të MCA, gjithashtu një institucion mikrofinanciar i denoncuar tek ZËRI.
Klarida Tahiri dhe Gramos Tahiri nga Vlora, për një kredi te NOA që kanë marrë në vitin 2018, u është nxjerrë apartamenti në ankand për 189 110 lekë. Edhe kjo pronë është marrë nga MCA. Besnik Serjani, ka marrë një kredi tek MCA në 2017, është mashtruar për të larë një kredi të vjetër e ka marrë një të re. Edhe Serjanit gjithashtu i është rrëmbyer prona truall nga MCA. Hamit dhe Nazmie Koka nga Bërzhita Tiranë, për një kredi konsumatore tek NOA i është sekuestruar ndërtesa me sipërfaqe 129 m2 për vlerën 21 391 lekë. Ka dalë në ankand për 238 480 lekë dhe është rrëmbyer në Kadastër nga MCA.
Për këto raste, është kërkuar një rikontroll nga Prokuroria e Tiranës, i vetmi institucion që deri më tani po vë përgjegjësit para drejtësisë, ndërkohë që pritet edhe lëvizja e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Skandali me mikrokreditë:
Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!/ZËRI