
TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi përfundimisht dënimin për Dritan Rexhepin me 25 vjet burg. Vendimi i dhënë më 11 dhjetor 2023, lidhet me fajësinë e 43-vjeçarit për vrasjen e policit Durim Kasmi në vitin 1999 në qendër të Krujës dhe plagosjen e Ramazan Bakiut, me pasojë vdekjen disa ditë më pas.
Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kërkesa e Shqipërisë për ekstradimin e Dritan Rexhepit pritet të favorizohet. Autoritetet shqiptare që prej nëntorit 2023 i janë drejtuar Drejtësisë Turke, duke kërkuar ekstradimin e Gramoz Rexhepit nga Turqia. Ekstradimi i "Mbretit të kokainës" kërkohet nga disa vende, një prej tyre Italia, e cila e ka dënuar me 20 vite burg dhe Ekuadori e Belgjika.
VENDIMI:
Vendim nr. 261 datë 11.12.2023 Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Holta Zaçaj, Kryetare, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska, Genti Ibrahimi, Marjana Semini, Elsa Toska, anëtarë, në datën 11.12.2023 mori në shqyrtim paraprak kërkesën nr. 7 (D) 2023 të Regjistrit Themeltar, që i përket: KËRKUES: DRITAN REXHEPI, përfaqësuar nga avokat Bledar Dumani dhe avokate JoanaQeleshi, me prokurë të posaçme. OBJEKTI: Shfuqizimi i vendimit nr. 00-2020-490, datë 27.11.2020 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
BAZA LIGJORE: Nenet 18, 32, 42, 124, pika 1, 131, pika 1, shkronja “f”, 132, pika 1, 134, pikat 1, shkronja “i” dhe 2 dhe 142 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë(Kushtetuta); neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ); neni 71/a, pika 1, shkronja “b”, i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000). Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (Mbledhja e Gjyqtarëve), pasi dëgjoi relatoren e çështjes Elsa Toska, shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese, si dhe diskutoi çështjen në tërësi.
Rexhepi u vu në pranga në Turqi, në sajë të bashkëpunimit mes autoriteteve turke dhe atyre italiane, ndërkohë që kishte arritur të largohej nga burgu në Ekuador përmes një arresti shtëpie fillimisht, dhe më pas një arratie nga vendi. Në momentin e arrestimit, Rexhepi ishte në shoqërinë e gruas së tij kolumbiane dhe dy fëmijëve. Ai dyshohet si kreu i një klani të fuqishëm të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine për në Europë. Përveç shpalljes në kërkim nga Shqipëria, ai ka llogari të hapura me drejtësinë dhe në Spanjë, Itali dhe Britani të Madhe.
Rexhepi është cilësuar dhe si një mjeshtër i arratisjeve nga burgu. Fillimisht ai u arratis në vitin 2007 nga policia e Durrësit pasi këta të fundit e morën për t’i bërë një foto e për ta shpërndarë në media. Ndërkohë një vit më pas ai kreu një arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Pak më vonë një tjetër arrati u regjistrua në Belgjikë.
Ai doli nga Kakavija me pasaportën e falsifikuar me gjeneralitetet Lulzim Murataj –pasaportë me të cilën u arrestua në Ekuador- dhe prej datës 16 nëntor 2013, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në Shqipëri. A do të vijë tashmë si i arrestuar? Kjo mbetet ende një pikëpyetje./ZËRI