
DURRËS- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar katër ditë më parë në Sukth të Durrësit, ku Bedrie Loka u vetëvra duke konsumuar fotoksinë.
Përplasja në morg mes vëllezërve të Bedries dhe Xhemal Lokës
Raportohet se ditën e vdekjes së Bedrie Lokës, vëllezërit e saj dhe Xhemal Loka (bashkëshorti i të ndjerës) kanë pasur një debat verbal në morgun e spitalit të Durrësit pasi kanë kërkuar që të marrin trupin e motrës dhe ta varrosnin në varrezat e tyre familjare, gjë që është kundërshtuar nga Xhemal Loka. Pas kësaj ka pasur dhe një përplasje fizike mes tyre, shkruan BW. Vëllezërit e Bedries, insistonin të merrnin trupin pasi kishin dyshime se shkak për vdekjen e motrës së tyre të jetë bërë Xhemal Loka, i cili sipas tyre e dhunonte sistematikisht.
Denoncimi në Polici
Pasi Xhemal Loka nuk ua ka dhënë trupin e motrës, vëllezërit e Bedries nuk kanë shkuar për ngushëllim tek shtëpia e të ndjerës për të pritur njerëzit sipas zakonit. Ata shkuan vetëm në varrim. Ndërsa dy ditë pas ngjarjes ata shkuan në Policinë e Durrësit dhe bënë denoncimin për Xhemal Lokën. Para oficerëve ata deklaruan se motra e tyre nuk ka vdekur për shkak të bullizimit në Tik Tok siç pretendon Xhemal Loka, por për shkak të dhunës së bashkëshortit të saj. Ata u kunë thënë oficerëve se e motra dhunohej fizikisht dhe psikologjikisht nga Xhemal Loka.
Roli i vjehrres në sherret mes çifit
Referuar BW, raportohet se familja Loka pasi kishin ardhur nga Peshkopia në Sukth kishin ndërtuar një shtëpi dy kateshe. Në katin e parë jetonte Bedria me familjen e saj, ndërsa në katin e dytë që ishte bosh, vjehrra dëshironte të fuste fëmijët e djalit tjetër që i kishte braktisur e ëma.
Një kërkesë e tillë kishte shtuar edhe fjalët e nënës ndaj të birit, kundër nuses dhe sa herë që Xhemali kthehej nga kurbeti, niste sherri e debati në familje deri në dhunë fizike. Madje deri edhe në ofendimet për nder. Fakti që ajo jetonte e vetme me fëmijët pasi burri ishte në emigrim, e bënë Bedrie Lokën “shënjestër” të fjalëve të vjehrres që shkonin deri aty sa e preknin në nder. Por fshati e respektonte dhe nderonte 41-vjeçaren.
Humbja e 40 mijë eurove
Raportohet se Bedrie Lokës, i vodhën rreth 40 mijë euro në banesë. Por ende Policia nuk ka rënë në gjurmët e autorit/ve të ngjarjes.
Bedrie Loka i dha fund jetës katër ditë më parë, pasi dyshohet se ka qenë e dhunuar nga i shoqi. Xhemal Loka u vu në prangat e policisë mëngjesin e të shtunës, pasi 4 fëmijët e çiftit dëshmuan në polici dhunën e vazhdueshme që babai ushtronte ndaj nënës së tyre. E para që ka folur në polci ka qenë vajza e madhe e çiftit, e cila ishte martuar vetëm pak kohë më parë. Në datën 27 Dhjetor, rreth një javë para vdekjes së Bedrie Lokës, bashkëshorti i saj, i cili sapo ishte kthyer nga emigrimi, i kishte vendosur thikën në fyt 41-vjeçares. Në banesë u gjet dhe një armë zjarri e vjetër, si dhe u sekuestrua telefoni i bashkëshortit./ZËRI