
TIRANË-Prokuroria e Tiranës i ka dërguar kërkesë Turqisë për ekstradimin e Dritan Rexhepit. Rexhepi u arrestua pak ditë më parë në Stamboll. Ekstradimi i "Mbretit të kokainës" kërkohet nga disa vende, një pret tyre Italia, e cila e ka dënuar me 20 vite burg dhe Ekuadori.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë dokumentacion me qëllim paraqitjen e kërkesës për ekstradim nga Turqia në Shqipëri të shtetasit Dritan Rexhepaj. Ky shtetas, është shpallur në kërkim ndërkombëtar në janar 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në kuadër të ekzekutimit të një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e ka shpallur Dritan Rexhepajn fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të kryer në bashkëpunim, “vrasjes me dashje”, të kryer në bashkëpunim, dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuara nga nenet 79/c-25, 76-25 dhe 278/2 të Kodit Penal.
Policia Turke dhe ajo italiane arrestuan brenda një vile në Stamboll, Dritan Rexhepin. Në momentin e arrestimit nga policia turke, Rexhepit iu gjetën mijëra euro dhe bizhuteri me vlerë të madhe, si dhe armë zjarri. Ai po qëndronte në një vilë luksoze në Stamboll, ku kishte udhëtuar me një pasaportë fallso, nën një identitet kolumbian, Benjamin Omar Perez Garcia. Ai është lideri i një karteli droge, i cili ka trafikuar kokainë me vlerë qindra milionë euro nga Amerika e Jugut në Evropë. Rexhepi u kap në vitin 2014 në Ekuador dhe u dënua në vitin 2015 me 13 vite burg për trafik droge. Gjithashtu ai ka një historik të gjatë i përfshirë në ngjarje kriminale në Shqipëri, që e kanë pikënisjen në vitin 2007, kur vlonjati akuzohet për vrasjen e dy efektivëve të policisë. Më pas ai ka një seri arratisjesh nga burgjet, qoftë ato shqiptare, qoftë ato italiane./Zëri.ai