
TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në burg këtë të premte Behar Bajrin. Seanca në GJKKO është mbajtur nën masa të rrepta sigurie dhe me dyer të mbyllura. Dosjën e Bajrit e kanë marrë në dorë vetë Altin Dumani (Kreu i SPAK) dhe ish-drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja. Gjyqtare e çështjes është Atalanta Zeqiraj. Behar Bajri u ekstradua një ditë më parë nga Franca.
NJOFTIMI I PLOTË:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bazuar në nenin 246 pika 6 të K.Pr.Penale i është drejtuar Gjykatës me kërkesë me objekt: Marrje në pyetje të të arrestuarit: B.B., i dyshuar për veprat penale të: “Vrasje me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Kryerja e Veprave Penale nga grupi i strukturual kriminal dhe organizata kriminale” parashikuar nga nenet 78/2; 28/4; 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal; Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a, 334 të Kodit Penal; Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a, 334 të Kodit Penal; “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 i Kodit Penal; “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” në bashkëpunim dhe në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 278, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Atalanta Zeqiri, bazuar në nenet 248 të Kodit të Procedurës Penale, pasi zhvilloi seancën gjyqësore të marrjes në pyetje të të arrestuarit në prani të mbrojtësit të zgjedhur dhe pasi dëgjoi kërkimet përfundimtare të palëve, bazuar në nenin 228, 229, 230, 238 dhe 248 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim B.B me vendimin Nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Me zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar.
Behar Bajri u arrestua në muajin shtator në një lokal të Strasburgut, pasi ishte shpallur në kërkim për llogari të dosjes “Metamorfoza”. Behar Bajri në dosjen “Metamorfoza” akuzohet si organizator i vrasjes së Gjin Boriçit për llogari të të zhdukurit Ervis Martinaj, sigurimin e personave për vrasjen e mbetur në tentativë të Kleanthi Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe porositës i vrasjeve që nuk u kryen asnjëherë të Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit.
Të gjitha këto ngjarje, Behar Bajri i organizoi e planifikoi pas daljes nga burgu me masë të lehtësuar arresti, të firmosur nga prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar pasi dyshohet se përfitoi 30 mijë euro për këtë nder.
Skeda kriminale e Behar Bajrit është e pasur. Ai dyshohet se më 2002 ka vrarë bashkëshorten Fabiola Bajri vetëm 16 vjeçe. Mbi të rëndojnë dhe vepra të rënda penale të tjera , si vrasja, vjedhja me armë dhe grabitja, të kryera kryesisht në qytetin e Shkodrës./Zëri.ai