TIRANË– Një incident i pazakontë është regjistruar këtë të hënë gjatë seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po gjykohen Petrit Çakraj dhe vëllezërit Aleksandër, Kristi dhe Fatjon Bushgjokaj.
Burime për ZËRI bëjnë me dije se, gjatë zhvillimit të seancës dhe teksa ndodheshin në kafazin e xhamit, të pandehurit janë përfshirë në një konflikt fizik me njëri-tjetrin.
Sipas të njëjtave burime, Petrit Çakraj është dhunuar nga të pandehurit e tjerë, pasi kishte nisur të jepte deklarime lidhur me ngjarjen për të cilën akuzohen.
Seanca është zhvilluar pa praninë e mediave. Të pandehurit akuzohen për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra në Klos dhe hedhjen e trupit të tij në lumë.
Për shkak të incidentit, gjykata është detyruar të ndërpresë seancën, ndërsa, sipas informacioneve paraprake, janë pezulluar përkohësisht edhe seancat e tjera të planifikuara./ZËRI