MIRDITË- Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e Valter Lleshit, cila ndodhi në Miriditë mëngjesin e sotëm. Policia njofton se 45-vjeçari u gjet i vrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij tip “Toyota” në fshati Shkorret.
Mësohet se viktima ishte punonjës i kompanisë së bazaltit në Spaç, të cilës në mars të këtij viti, ishte vendosur një sasi tritoli në një prej makinerive, e cila nuk kishte shpërthyer.
Ende nuk dihen rrethanat se si ka ndodhur ngjarja e rëndë, ndërsa policia po vijon hetimet dhe identifikimin e autorit.
Njoftimi i policisë:
Mirditë/Informacion paraprak
Rreth orës 07:10, në fshatin Shkorret, Mirditë, në aksin rrugor Reps–Spaç, është gjetur në automjet, dyshohet i vrarë me armë zjarri, shtetasi V. Ll., rreth 45 vjeç.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që do t'i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve./ZËRI
