Aktualitet

Shembjet në Theth/ Banorët kundërshtojnë, përplasen me Policinë: Jemi në shtëpinë tonë, duam dialog!

Banorët nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe kanë kërkuar një dialog urgjent me institucionet shtetërore.

k.m.
Shembjet në Theth/ Banorët kundërshtojnë, përplasen me
Pamje nga përplasja

SHKODËR- Dhjetëra banorë të fshatit turistik të Thethit kanë kundërshtuar shembjen e ndërtimeve pa leje në zonë, duke u përplasur edhe me forcat e Policisë së Shtetit. Efektivët ishin në terren pasi banorët e zonës, shumë prej të cilëve me bujtina për turistët, kishin dalë në protestë për të kërkuar shpjegime lidhur me aksionin e zhvilluar nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit. Teksa banorët e zonës ishin të vendosur për kërkesën e tyre, nuk kanë munguar as momentet e tensionit dhe të përballjeve fizike me efektivët e Policisë. 

BANORËT NË VIDEO: 

“Na jena këtu, 300 vjet, 400 vjet mor'. Derisa ka le Perëndia, dhe pa pas konflikt me kënd…”

“Na nuk jena njerëz kundra ligjit, duam një njeri që drejton në IMT, kush është? Ju lutem të flasim me të. Kaq kërkojmë. Ju jeni punonjës policie, na u kuptojmë se ju s’na keni asnjë lloj borxhi.”

Megjithatë nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe kanë kërkuar një dialog urgjent me institucionet shtetërore dhe kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve dhe organizimin e një tryeze urgjente dialogu për të gjetur një zgjidhje, të mirë për të dyja palët. 

Kërkesa e plotë:

Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, ne, banorët e fshatit Theth, në Njësinë Administrative Shalë, Bashkia Shkodër, po ju drejtohemi me këtë peticion për të shprehur shqetësimin tonë të thellë lidhur me veprimet e fundit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), i cili ka ndërhyrë në pronat private të banorëve duke shembur ndërtesa në territoret tona. Këto ndërhyrje, të pa paralajmëruara dhe të pa shpjeguara, kanë shkaktuar një ndikim të thellë ekonomik dhe shoqëror për komunitetin tonë. Kjo situatë ka ndodhur në kulmin e sezonit turistik dhe pa asnjë lloj konsultimi me banorët, duke krijuar një krizë të menjëhershme për shumë familje që mbështeten në këtë industri për të mbajtur jetën në këtë zonë malore.

Me këtë rast, kërkojmë: Pezullimin e menjëhershëm të ndërhyrjeve të mëtejshme nga IKMT në territorin e Thethit deri në zhvillimin e një procesi të plotë, të hapur dhe të drejtë verifikimi. Organizimin e një tryeze urgjente dialogu në fshatin Theth, ku të jenë të pranishëm përfaqësues të Bashkisë Shkodër, përfaqësues të Qeverisë, përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Vendor, përfaqësues të IKMT-së, si dhe përfaqësues të komunitetit lokal. Ne e respektojmë shtetin ligjor dhe kërkojmë zbatimin e tij në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Megjithatë, mënyra se si janë ndërmarrë këto veprime, pa një komunikim paraprak, pa transparencë dhe pa mbrojtjen e interesave të komunitetit, është një padrejtësi dhe një goditje e rëndë për ekonominë lokale.

Nëse brenda një afati të arsyeshëm nuk do të kemi një reagim dhe zgjidhje konkrete nga institucionet përkatëse, ne si komunitet do të jemi të detyruar të marrim masa ekstreme, përfshirë mbylljen e dyerve të bujtinave dhe pezullimin e shërbimeve për turistët, si formë proteste dhe mbrojtje të të drejtave tona. Në pritje të një përgjigjeje të shpejtë dhe serioze!

Ndërkohë, edhe sot ka vijuar aksioni në Theth për prishjen e 11 objekteve të ndërtuara pa leje në “zemër” të Thethit. Aksioni do të vijojë më pas me objekte të tjera, pasi në total janë për tu shembur rreth 40 ndërtime./ZËRI

Poll

MOS HUMB