Politikë

Raporti i PE për Shqipërinë, Marta Kos: Ruani pavarësinë e SPAK!

Komisionerja për Zgjerim u tha anëtarëve të Parlamentit Evropian se bisedimet me Shqipërinë po ecin me ritëm të mirë dhe me këto "hapa" pritet që shumë shpejt të hapen edhe dy "grup-kapitujt" e mbetur.

k.m.
Raporti i PE për Shqipërinë, Marta Kos: Ruani
Marta Kos

STRASBURG- Parlamenti Evropian debatoi në Strasburg raportet e progresit për Shqipërinë për vitet 2023 dhe 2024. Në fjalën e saj, Marta Kos kërkoi që reforma në drejtësi të mos prekej, duke përmendur me emër edhe Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Komisionerja për Zgjerim u tha anëtarëve të Parlamentit Evropian se bisedimet me Shqipërinë po ecin me ritëm të mirë dhe me këto "hapa" pritet që shumë shpejt të hapen edhe dy "grup-kapitujt" e mbetur. Për të arritur këtë qëllim, ajo u zotua për një bashkëpunim më të mirë me Presidencën daneze që po drejton tani Parlamentin Europian.

“Rezultatet e mira të SPAK janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe. Pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar. Ky raport vjen në një moment vendimtar, pasi negociatat e anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të paparë më parë, siç e dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura në muajt e fundit dhe të tjera që priten. Besojmë se edhe dy grupet e mbetura do të hapen sapo të jetë e mundur,”- tha Marta Kos.

Kos e mbylli fjalën e saj duke thënë se në kontekstin aktual gjeopolitik, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor mbeten një prioritet gjeostrategjik për BE-në.

Të dy raportet e progresit të dy viteve të fundit për vendin tonë do të miratohen gjatë të mërkurës. Ndërkohë që pritet që raporti të paraqitet për votim në një seancë plenare të ardhshme të Parlamentit Evropian./ZËRI

Poll

MOS HUMB