
VLORË- Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka bërë një marrëveshje me bizneset në zonën e Lungomares, sa i përket çështjes së zaptimit të hapësirave publike. Teksa pronarët e bizneseve protestonin sot, Dredha bëri me dije për mediat se ka rënë dakord që fillimisht të largohen vazot e luleve dhe fasadat që pengojnë lëvizjen e lirshme të qytetarëve.
Ai tha se është lënë afat që nga 1 shtatori që bizneset të largojnë vetë tendat që kanë ngritur për pronat e tyre.
"Nuk është protestë është thjeshtë një bashkëbisedim që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët derisa të mbarojë sezoni veror. Janë marrë disa masa në të gjitha akset e Vlorës, jo vetëm më Lungomare, që të hiqen fasdat, pemët dhe vazot me lule dhe për t’iu rikthyer projektit si ka qenë në zanafillën e vetë. Vit pas viti edhe është abuzuar pak, të gjithë janë munduar që të zgjerohen, duke shkaktuar një dëm tek komuniteti. Trotuarët të jenë të liruar të paktën, por për tendat anësore në lokale, ne do ti tolerojmë deri në fund të gushtit dhe nga data 1 shtatori, të gjithë kanë rënë dakord që ti çmontojnë vetë. Nuk po binin dakord në fillim por në fund arritëm me këtë dakodësi,"-tha ai.
Para tre ditësh, Rama iu dha një ultimatum prej 48 orësh bizneseve në Lungomare që të lirojnë hapësirat publike, ndaj edhe sot pronarët e bizneseve janë mbledhur për të kundërshtuar nismën e Ramës. Ndërkohë aksioni i kreut të qeverisë vazhdon edhe në qytete të tjera, pasi sot pritet që të vizitojë Fierin dhe Durrësin./ZËRI