Politikë

Vjeshta "erë" zgjedhjesh të parakohshme?/ Veliaj mbetet në burg, Bashkia ende pa drejtues...

Që prej arrestimit të tij në shkurt, Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend po drejtohet nga një kryebashkiake e komanduar, më konkretisht nga Anuela Ristani. Por kjo nuk mund të zgjasë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale.

k.m.
Vjeshta "erë" zgjedhjesh të parakohshme?/ Veliaj mbetet
Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj do të vazhdojë që të qëndrojë në qeli. Tashmë, në "zinxhirin" e organeve të drejtësisë në Shqipëri, Veliajt i ka mbetur ankimimi vetëm në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është hallka e vetme që Veliaj mund të kapet dhe të kërkojë lirinë e tij, qoftë me kusht, qoftë në 'arrest shtëpie'. Por për të dalë edhe njëherë para togave të zeza, Veliaj ende nuk ka një datë. Ndërkohë, koha nuk është në favorin e tij. Që prej arrestimit të tij në shkurt, Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend po drejtohet nga një kryebashkiake e komanduar, më konkretisht nga Anuela Ristani. Por kjo nuk mund të zgjasë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Nuk ka asnjë precedent të tillë.

Në rastin më të ngjashëm, atë të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri humbi Bashkinë pasi u dënua me burg me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke i hapur zyrtarisht qeverisë rrugën për të shpallur vakancën. Ndërsa në rastin e Veliajt, hetimet për të sapo kanë nisur dhe dosja ende nuk është përpiluar e plotë nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pasi hetimet të mbarojnë, do të nisë gjykimi, një tjetër proces që mund të zgjasë me vite, ndaj, të paktën nga ana ligjore, Veliaj e ka të pamundur që ta mbyllë këtë mandat në krye të Bashkisë së Tiranës. 

E vetmja rrugë është që Tirana t'i bashkohet Tepelenës, Beratit dhe Matit në zgjedhjet e parakohshme lokale për të zgjedhur të parët e Bashkive. Vetëm se në rastin e 3 institucioneve të tjera, kryetarët janë dorëhequr nga detyra për të nisur një karrierë të re, atë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. 

Datë për zgjedhjet ende nuk ka! Por në një deklaratë për mediat, disa javë më parë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi përmendi vjeshtën si një periudhë të mundshme kur mund të ketë zgjedhje. Për Tiranën, zgjodhi të mos komentonte, por ndryshe veproi kryeministri Edi Rama. Disa ditë më parë, në një takim me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës dhe deputetë të zgjedhur nga votimet për parlamentin më 11 maj, Rama foli shumë pak, por la të kuptohet shumë.

“Nuk i dihet si do të shkojë kjo punë,”- citohet të ketë thënë Rama. Ndaj edhe kjo pikëpyetje e ngritur nga Rama për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë Tiranë, duket se pret një "përgjigje" nga institucionet e drejtësisë. Vetëm atëherë kreu i qeverisë mund të mbledhë Këshillin e Ministrave dhe të shkarkojë me "VKM", kryebashkiakun që tashmë ndodhet në qelinë e paraburgimit të burgut të Durrësit. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë incidie që kjo gjë të ndodhë. Të paktën jo derisa presidenti Bajram Begaj të mbledhë edhe njëherë krerët e grupeve paralamentare në Presidencë dhe t'i pyesë për datën e zgjedhjeve. 

E teksa pritet që vjeshta, bashkë më shirat, të vijë me votime, në Tiranë qarkullojnë emrat për atë që mund të pasojë Veliajn. Disa javë më parë, ZËRI, bëri një artikull me emrat më të përmendur gjatë fushatës, duke listuar: Blendi Gonxhjan, Arbër Hajdarin, Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun. Me opozitën, "çështja" është pak më e "koklavitur". Agron Shehaj i partisë "Mundësia", pasi i kaloi i vetëm zgjedhjet parlamentare kërkon një bashkëpunim me Partinë Demokratike për të marrë Bashkinë e kryeqytetit. Por jo vetëm me PD! Ai kërkon bashkimin e të gjitha forcave opozitare për të zgjedhur një kandidat jopolitik. Propozimi i tij ka marrë përgjigje pozitive vetëm nga selia blu, ndërsa të tjerët duken se ende hezitojnë që të pranojnë bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Megjithatë, deri tani, një emër i përfolur është ai i mjekut Ilir Alimehmeti./ZËRI

Poll

MOS HUMB