
LECCE- Nuk ishte vrasje me dashje, por një fatalitet tragjik. Pas 11 vitesh, Gjykata e Kasacionit i ka vënë vulën përfundimtare vdekjes së bariut 23-vjeçar shqiptar, Qamil Hyrai, i cili ndërroi jetë më 6 prill 2014. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë kanë vërtetuar përfundimisht se vdekja e bariut ishte një aksident dhe jo vrasje me dashje. Kështu, Gjykata e Kasacionit ka anuluar dënimin me 21 vjet burg të Giuseppe Roi-t. Sipërmarrësi italian u lirua pasi nga hetimet u zbulua se ai kishte qëlluar me armë zjarri teksa përgatitej për një kampionat, por papritur qëlloi ndaj bariut shqiptar.
Sipas rindërtimit të dinamikës së ngjarjes, Gjykata e Shkallës së parë kishte vendosur 30 vite burg me pretendimin se Giuseppe Roi qëlloi për qejf në drejtim të bariut të ri, edhe pse e dinte që ai po qëndronte pas një muri rrethues. Por një plumb në ballë i mori jetën në vend shqiptarit. Me ekspertizën e re pretendohet se gjithçka ka qenë një aksident dhe se italiani 41-vjeçar, punëdhënësi i shqiptarit, nuk ka pasur asnjë qëllim për të vrarë Hyrain.
Vendimi i marrë sot është "parë" ndryshe nga avokatët e të dy palëve.
"Pas njëmbëdhjetë vitesh, Gjykata e Kasacionit i dha fund kësaj çështjeje të dhimbshme. Nuk mund të mos jemi njerëzisht, si dhe profesionalisht, krenarë për rezultatin e kësaj beteje për të vërtetën,"- komentuan me kënaqësi të dukshme avokatja Francesca Conte dhe kolegu i saj Roberto Eustachio Sisto, avokatë të Giuseppe Roi.
Ndërsa për mbrojtjen e viktimës, vendimi nxjerr në pah problemet kritike të sistemit në sigurimin e drejtësisë në kohë dhe mbrojtjes për viktimat. Avokati Ladislao Massari, i cili së bashku me kolegen e tij Uljana Gazdede, ndihmoi familjen e Qamilit, shprehu hidhërim për vendimin.
“I pandehuri Roi kreu vrasje pa dashje, duke e larguar Qamilin e varfër nga jeta dhe dashuria e të dashurve të tij. Në gjyq nuk u tha asnjë fjalë ngushëllimi për familjen dhe as nuk u vendos për asnjë kompensim, edhe pse është një dëm i pamatshëm dhe i pakompensueshëm. Të afërmit e viktimës kanë vendosur më në fund të largohen nga ky Shtet që fillimisht i kishte mirëpritur dhe më pas nuk ishte në gjendje t'i mbronte,"-tha ai./ZËRI