
SHKODËR- Kapiteni i një anije turistike është vetëflijuar për të shpëtuar nga mbytja e sigurtë dy turistë të huaj. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në liqenin e Shkodrës. Arben Alamani, 51 vjeç, u hodh për të shpëtuar dy turistët që kishin rënë në ujë.
Por për fat të keq nuk ia ka dalë që të shpëtojë edhe vetë nga ujrat e liqenit.
"Është marrë njoftim nga Salla Operative se në liqenin e Shkodrës, kapiteni i anijes për qëllime turistike e Bashkisë Shkodër, shtetasi A. A., 51 vjeç, dyshohet se gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë, është mbytur,"-njoftoi Policia e Shkodrës.
Turistët janë shpëtuar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, por deri më tani nuk është gjetur trupi i 51-vjeçarit.
"Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë, që po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 51-vjeçarit,"- sqaroi Policia, ndërsa pritet që polumbarët të shkojnë në zonë për të kërkuar trupin e 51-vjeçarit.
Mbeten ende të panjohura dinamika e ngjarjes dhe rrethanat se si kanë rënë turistët në ujë, por ngjarja po hetohet nga grupi hetimor./ZËRI