Aktualitet

Autoshkollat e Tiranës dhe Elbasanit në protestë! DPSHTRR: Grup i vogël të pakënaqurish, tarifat janë indeksuar

Autoshkolla të Elbasanit dhe të Tiranës zhvilluan protesta, pas miratimit të tarifave të reja, për lejet e drejtimit.

D.XH
Autoshkollat e Tiranës dhe Elbasanit në protestë! DPSHTRR: Grup i
Patenta

ELBASAN -  Duke nisur nga dita e sotme, kanë hyrë në fuqi tarifat e reja për t’u pajisur me leje drejtimi. Nisur nga këto ndryshime, Shoqata e Autoshkollave në Elbasan ka dalë në protestë gjatë ditës së sotme, duke bojkotuar punën, teksa nuk janë paraqitur në testim.

Kreu i shoqatës, Alim Lulaj, e ka quajtur tinzar vendimin e qeverisë, për të rritur tarifat e patentës. Ai tha se koston do ta paguajnë qytetarët. Lulaj tha se nga sot, çdo qytetar do të paguajë 15 mijë lekë të reja më tepër që të pajiset me leje drejtimi. Ai tha se vendimi cënon autoshkollat, sepse qytetarët stepen që të pajisen me patentë, raporton TCH.

Në Elbasan operojnë rreth 33 autoshkolla dhe kanë të njëjtin shqetësim. Autoshkollat në këtë qytet kanë kundërshtuar taksimin e profesioneve të lira, duke përfshirë edhe autoshkollat. Drejtuesit kanë thënë se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, ata do të përshkallëzojnë protestën.

Javën e kaluar, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka bërë rishikim dhe indeksim për të gjitha shërbimet dhe tarifat që ofron. Në njoftimin e saj, Drejtoria ka thënë se për disa kategori ka rritje të vlefshmërisë të lejeve të drejtimit, në të njëjtën kohë edhe rritje të kostos. 

Autoshkollat në Tiranë ngrihen në protestë

Disa përfaqësues të autoshkollave në Tiranë zhvilluan të hënën një protestë, pranë Drejtorisë së Patentave në Kashar, pas miratimit të çmimeve për lejet e drejtimit. Ata thanë se nuk janë konsultuar për ndryshimin e çmimit të lejes së drejtimit, si dhe formalizimin e sektorit. Sipas tyre, duhet që të miratohet çmimi fiskal për autoshkollat. “Jemi mënjanuar dhe nuk jemi informuar në kohën e duhur si grup interesi mbi ndryshimin e tarifave të shërbimit nga DPSHTRR-ja, veprime të cilat në mënyrë indirekte ndikojnë në punën tonë të autoshkollave dhe të kandidatëve për drejtues mjeti”, u shprehën përfaqësuesit e autoshkollave.

Bojkoti nga autoshkollat, DPSHTRR: Një grupim i vogël kanë pakënaqësi, tarifat janë indeksuar

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka reaguar, pas protestës të zhvilluar nga përfaqësues të autoshkollave në Tiranë dhe në Elbasan. Sipas DPSHTRR, në bazë të të dhënave statistikore dhe monitorimit të ecurisë të shërbimeve të të gjitha drejtorive rajonale, rezulton se shërbimet për lejet e drejtimit kanë vazhduar normalisht. Gjatë ditës së sotme, pjesëmarrja për regjistrime, testime teorike dhe praktike, ritestime, rinovim për leje-drejtimin si dhe çdo shërbim tjetër, që ofrohet pranë pranë sporteleve të DPSHTRR, është e njëjtë me çdo ditë pune tjetër.

Në lidhje me protestat e organizuara nga autoshkollat në Tiranë dhe në Elbasan, DPSHTRR shprehet se nuk kemi të bëjmë me rritje të çmimeve, por me rishikim dhe me indeksim të tarifave të shërbimeve të leje-drejtimit, të cilat nuk ishin ndryshuar prej 23 vitesh. “Ky rishikim tarifash vjen si rrjedhojë e ndryshimeve ligjore të miratuara në dakordësim me grupet e interesit, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe të standardeve të përcaktuara nga direktivat e Bashkimit Europian, për ofrimin e shërbimeve për lejet e drejtimit”, tha DPSHTRR. Më tej, DPSHTRR shprehet se për të arritur këto standarde, ka investuar në infrastrukturë, modernizimin e proceseve të shërbimit që lidhen me autoshkollat dhe kursantët, për leje drejtimi, në thjeshtëzimin dhe harmonizimin e këtyre procedurave, si dhe shtimin e zyrave të shërbimit, për të qenë sa më afër qytetarëve. “Sa më sipër “bojkoti” i autoshkollave, në të vërtetë është vetëm një paqartësi e një grupimi shumë të vogël i subjekteve autoshkollë, ndërsa tarifat e indeksuara dhe të miratuara janë të pasqyruara në rubrikat përkatëse në faqen zyrtare të DPSHTRR-së”, thuhet më tej në njoftim./ZËRI/

Poll

MOS HUMB