Aktualitet

Rrëzimi i skelës në pallatin e “Arlis” ku u plagosën babë e bijë, në pranga 3 persona

Në pranga kanë rënë 3 punonjës të kompanisë Arlis, por jo drejtuesit

E.K
Rrëzimi i skelës në pallatin e “Arlis” ku u
Pamje nga vendngjarja

TIRANË- Policia ka arrestuar inxhinierin dhe dy punëtorët e pallatit të kompanisë ‘Arlis’, në zonënj e ish-Parkut, ku gjatë ditës së djeshme, si pasojë e rrëzimit të skelës mbetën të plagosur dy kalimtarë të rastit. Në pranga u vunë Elton Osmanllari, Erjon Kanto dhe Zef Kalaj.

Incidenti ndodhi rreth orës 10:10 ditën e djeshme, në bulevardin “Gjergj Fishta” në kryeqytet, ku u rrëzuan skelat e një pallati në ndërtim e sipër, duke plagosur dy kalimtarë, Hysen Lavdari, rreth 70 vjeç, dhe Imelda Shkëmbi, rreth 45 vjeçe, babë e bijë.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin "Gjergj Fishta", ku nga një pallat në ndërtim e sipër, ra një skelë që dëmtoi dy kalimtarë, arrestuan shtetasit: Elton Osmanllari, 41 vjeç, Erjon Kanto, 41 vjeç dhe Zef Kala, 49 vjeç, të tre banues në Tiranë, të punësuar respektivisht punëtor ndërtimi, sipërmarrës dhe inxhinier, në firmën që kryente punimet për ndërtimin e pallatit," thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. 

Kompania Arlis drejtohet nga biznesmeni Armand Lilo, i cili njihet si një person problematik. Ai u përfshi në një konflikt me armë zjarri në 2013 me babë e bir, pronarë të truallit ku po ndërtonte një pallat në Yzberisht.

Kompania “Arlis-ndërtim” është dhe ndërtuesja e kompleksit “SQUARE 21” dhe është denoncuar nga Belind Këlliçi pasi është akuzuar se është favorizuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj që i ka ‘dhënë’ truallin ku ndodhej Policia Bashkiake. Në vitin 2017, Lilo u padit nga Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës, pas akuzave se i ka kërkuar ryshfet në këmbim të lejes së ndërtimit, kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Basha.

Armando Lilo njihet dhe si mik i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Gjithashtu, Armand Lilo është akuzuar në Prokurori dhe për ndërtimin e 7 kateve pa leje tek “Syri i Tiranës”. PD ka denoncuar dhe se kompania “Arlis-ndertim” sh.p.k. e Lilos qëndron dhe pas projektit buzë liqenit të Pogradecit, ku do të ndërtohet një kompleks kullash./ZËRI 

Poll

MOS HUMB