
TIRANË- Prokuroria e Posaçme do të marrë sot në pyetje ish-Kryeministrin Sali Berisha, si person nën hetim për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. SPAK pranoi kërkesën e avokatëve të Berishës, të cilët kërkuan javën e kaluar që marrja në pyetje të shyhej për këtë javë.
Ish-kryeministri do të japë për herë të parë shpjegime dhe pretendimet e tij në lidhje me këtë dosje dhe dyshimet e ngritura nga Prokuroria së është përfshirë në korrupsion.
Berisha do të japë llogari për prokurorët Enkelejda Millonai dhe Arben Kraja, ndaj të cilëve vazhdimisht ka hedhur akuza të forta, që punojnë me regji të Edi Ramës. Ndërkohë që prokurorët do të marrin në pyetje në datën 25 Janar edhe dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi.
Beteja e Berishës me drejtësinë vijon në disa drejtime, dhe në shkallë të ndryshme të gjyqësorit. Ai ka apeluar si vendimin e GJKKO që e la nën masën e arrestit të shtëpisë, ashtu dhe vendimin e dy prokurorëve të çështjes që rrëzuan kërkesën e tij, që të merrte leje për të shkuar në Kuvend.
Me pengimin e Berishës për të ushtruar të drejtën si deputet, dhe nëse hetimet e SPAK do të zgjaten, ish-kryeministri rrezikon mandatin nëse nuk shkon për 6 muaj me radhë në Kuvend, siç ndodhi dhe në rastin e ish-numrit 2 të qeverisë Arben Ahmetaj.
Sali Berisha akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani. Pasi Berisha nuk e respektoi masën e sigurisë "Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, GJKKO e konvertoi masën në "Arrest shtëpie" me kërkesë të SPAK. Më herët për dosjen “Partizani” është arrestuar dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i cili më pas u lirua nga burgu nga Gjykata e Apelit të Posaçëm dhe u la në “Arrest shtëpie”.
/ZËRI