
KRUJË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me plagosjen e regjistruar disa orë më parë në fshatin Bruz Zallë të Krujës. Raportohet se pavarësisht kërkimeve në zonë të Policisë, në mbështetje të së cilës kishin shkuar dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, autori i ngjarjes, Imer Kamberi nuk është vënë dot në pranga, duke vijuar arratinë. Kërkimet për të janë ndërprerë për momentin për shkak të terrenit të vështirë dhe kushteve të motit.
Ndërkohë bëhet me dije se shkak i sherrit mes Imer Kamberit dhe Arben Asllanit ka qenë një debat i nisur për kullotat e bagëtive. Ndërkohë, Imer Kamberi, nuk është një emër i panjohur për Policinë, pasi ishte autor i një tjetër plagosjeje po në fshat. Kamberi, disa vite më parë ka plagosur një tjetër bashkëfshatar pas një konflikti.
Ndërsa Arben Asllani, i cili mbeti i plagosur këtë të hënë, rezultonte i shpallur në kërkim nga Policia nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Malësisë së Krujës. Ky i fundit për shkak të hemoragjisë, së shkaktuar nga plumbi në krah ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje të stabilizuar./ZËRI