
BRUKSEL – Të tjera detaje dalin në pah, në lidhje me gjyqin e madh që po mbahet në Bruksel, për disa shqiptarë, që dyshohet se janë përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.
Në gjyqin kryesor për çështje të drogës, që u zbulua pas transkriptimeve të Encrochat/Sky ECC në gjykatën penale të Brukselit, një ish-auditore e Gjykatës së Auditimit mohoi përfshirjen e saj në këtë rast, të hënën.
Miranda B. ka pasur një lidhje dashurie me Eridan M.G., një nga organizatorët e dyshuar, shqiptar nga Vlora, që ka marrë mbiemrin e gruas. Ajo mësohet se ka transferuar shuma të mëdha parash në emër të tij.
Në shtëpinë e saj në kryeqytetin shqiptar Tiranë, u gjetën 20 mijë euro, të cilat ajo tha se i kishte fituar ndershmërisht. Ajo tha se ato para nuk ishin në një llogari bankare, sepse në Shqipëri njerëzit paguajnë në cash. Ajo i shpjegon edhe gjashtë llogaritë bankare të papërdorura në emrin e saj, se janë pasojë e zakoneve shqiptare. “Sa herë që ndryshon një vend pune në Shqipëri, duhet të hapet një llogari e re”, tha Miranda B.
Miranda B ka thënë se mendonte se Eridani punonte në ndërtim dhe nuk dinte asgjë për veprimtarinë e tij të paligjshme. Në Belgjikë është hapur një gjyq i madh për bisedat në Sky Ecc, ku flitet për trafik droge. Mes të pandehurve ka edhe shqiptarë./Nieuwsblad.de - ZËRI/