
TIRANË- Skela prej hekuri që po ndërton kompleksin e pallateve nga kompania “Arlis-ndertim” sh.p.k. në pronësi të biznesmenit Armand Lilo, u shkëput dhe plagosi rëndë dy qytetarë të rastit që po kalonin në trotuar. Hysen Lavdari, rreth 70 vjeç, dhe Imelda Shkëmbi, rreth 45 vjeçe, babë e bijë u dërguan në spital ku bëhet me dije se i moshuari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia bëri me dije se ka shoqëruar në komisariat inxhinierin e pallatit dhe dy punëtorët, por Lilo dhe stafi i tij nuk janë cënuar.
Përveçse ndërtues, Armand Lilo njihet edhe një person problematik. Ai u përfshi në një konflikt me armë zjarri në 2013 me babë e bir, pronarë të truallit ku po ndërtonte një pallat në Yzberisht.
Kompania “Arlis-ndërtim” është dhe ndërtuesja e kompleksit “SQUARE 21” dhe është denoncuar nga Belind Këlliçi pasi është akuzuar se është favorizuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj që i ka ‘dhënë’ truallin ku ndodhej Policia Bashkiake. Në vitin 2017, Lilo u padit nga Erion Isufi, kunati i Lulzim Bashës, pas akuzave se i ka kërkuar ryshfet në këmbim të lejes së ndërtimit, kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Basha.
Armando Lilo njihet dhe si mik i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Gjithashtu, Armand Lilo është akuzuar në Prokurori dhe për ndërtimin e 7 kateve pa leje tek “Syri i Tiranës”. PD ka denoncuar dhe se kompania “Arlis-ndertim” sh.p.k. e Lilos qëndron dhe pas projektit buzë liqenit të Pogradecit, ku do të ndërtohet një kompleks kullash./ZËRI