
TIRANË- Raporti i UNECO-s për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit ka sjellë një përplasje mes ministrit për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe studiuesit Auron Tare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja deklaroi se Parku Kombëtar i Butrintit do të ketë një vëmendje maksimale sa i përket mirëadministrimit. Nisur nga raporti, që rekomandon që Ministria e Kulturës të ketë autoritet mbi të gjithë këtë pasuri botërore, Gonxhja shton se do të zbatojnë në mënyrë të plotë standartet ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi.
Në këtë postim, studiuesi Tare ka komentuar dhe shkruan se pikë së pari, ministry duhet të japë sqarime për faktin që ky raport ka pasur tentativë që të fshihej. Tare i sugjeron Gonxhjas të mbledhë ekspertët shqiptarë për të folur me ta dhe për të dëgjuar procesin si dhe të hedhë poshtë Marrëveshjen me AADF për transferimin e Butrintit, pasi sipas tij, kjo është njësoj si ta shesësh këtë trashëgimi kulturore kombëtare për grupe me interesa te dyshimta.
Postimi i Ministrit Blendi Gonxhja:
Në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (për shkak të funksionit), siguroj opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi. Unë dhe ekipi vlerësojmë gjithashtu rolin e AADF në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e BMF për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore, teknike e profesionale, të denjë për rëndësinë e pasurisë botërore në fjalë, dhe të domosdoshme për suksesin e kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme ku shteti shqiptar është lider, në të mirën e interesit publik dhe ku kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja!
Komenti i Studiuesit Auron Tare:
I nderuar Z. Ministër e para keni detyrimin ligjor dhe moral per te sqaruar opinionin publik për raportin e Unesco/Icomos. Çfarë përmban dhe perse u fsheh nga Institucioni i Trashëgimisë Kombëtare. Çfarë masash do merren për ata qe fshehën këtë raport? E dyta Z. Ministër cila është ekspertiza me e mire botërore qe AADF paska thithur? Kur Unesco/Icomos te ka hedhur poshtë cilësinë e përthithur. E treta mblidh ekspertet shqiptare për te folur me ta dhe për te dëgjuar procesin ashtu si dikur kur ishe ne Ministrinë e Kulturës. E katërta, hidh poshtë Marrëveshjen me AADF për transferimin e Butrintit si një Marrëveshje poshtëruese për punën e te gjithë atyre qe kane kontribuar ne Butrint por edhe si një e drejte sovrane e një vendi i cili nuk i jep apo shet pasurinë e saj kulturore për grupe me interesa te dyshimta. Ti e di mire qe Parku nuk u krijua nga Londra por nga shqiptaret qe e donin këtë vend ku një nder ta ishe edhe ti.

Çfarë thoshte raporti?
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për trashëgiminë botërore, UNESCO thotë në një raport për Parkun më të njohur Kombëtar në Shqipëri, Butrintin, se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimim e integruar të Butrintit dhe u rekomandon autoriteteve shqiptare që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo vetëm të një pjese të saj.
Raporti i UNESCO-s është përgatitur në tetor të vitit të kaluar, por nuk është bërë publik pasi qeveria shqiptare nuk ka dhënë pëlqimin e saj që ai të bëhej public. Sipas Zërit të Amerikës, Raporti i UNESCO-ICOMOS ngre shqetësim të thellë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 600 hektarëve ku në një pjesë po ndërtohet aktualisht një resort dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë me urgjencë në UNESCO një plan të qartë masash për mbrojtjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.
Gjithashtu, Raporti i përbashkët i UNESCO-ICOMOS, i dërguar tek autoritetet shqiptare, paraqet kritika të forta për rishikimin e kufijve të Parkut Kombëtare të Butrintit pa venë në dijeni UNESCO-n dhe për mos sigurimin e menaxhimit të integruar të Butrintit, siç kanë kërkuar misionet e mëparshme të organizatës botërore që kanë monitoruar Butrintin.