
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur në podkastin e tij "Flasim" për operacionin që kreu në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për hernien inguinale. Gjatë bisedës, Rama ndau detaje rreth gjendjes së tij shëndetësore, duke theksuar se ndërhyrja kirurgjikale ishte e nevojshme, por puna e tij e ngjeshur e bëri të pamundur respektimin e periudhës së pushimit prej tre ditësh.
Kryeministri shpjegoi se, pavarësisht rekomandimeve mjekësore, ai duhej të vazhdonte angazhimet zyrtare, përfshirë pritjen e presidentit të Turqisë në Tiranë dhe udhëtimet drejt Hungarisë dhe Luksemburgut për hapjen e grup-kapitullit të parë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ai rrëfeu gjithashtu se, për të përballuar dhimbjet, ishte nën efektin e injeksioneve të forta, të cilat i shkaktuan pagjumësi gjatë kësaj periudhe të ngarkuar.
"Mu desh të kryej një ndërhyrje kirurgjikale dhe të marr rrugët kundër shkencës, komplet, se duhet të qëndroja të paktën 3 ditë pushim, por ishin 3 ditë komplet të pamundura sepse të nesërmen duhet të rrija në këmbë për të pritur sulltanin, që vinte nga Lindja, pastaj të nesërmen duhet të merrja rrugët në qendrën e ish perandorisë hungareze për të takuar mikun tim Viktor Orban, për ta falënderuar për gjithçka bërë Hungaria për këtë shtysë të fundit dhe pastaj duhet të shkonim së bashku dhe të uleshim në atë sofër si të barabartë.
Kjo bëri që nën efektin e disa injeksioneve shumë të forta, që kishin si pasojë qëndrimin pa gjumë për të shmangur dhimbjet, kam shëtitur pas shumë vitesh nëpër ekrane. Unë nuk i ndjek, dihet botërisht që nuk i ndjek debatet në studio, marr një rezyme të shkurtër për gjërat që janë të rëndësishme, por kam pamundësi fizike që të mund të jem në gjendje për punë po të ndjek atë lemeri. Nga çfarë pashë në atë moment, kuptova që është e nevojshme që publiku të informohet sepse ka një mjegull, një keqkuptim, një përzierje llafesh.
Ky proces është shumë teknik dhe mund të jetë i mërzitshëm, mundohemi të japim idenë që Bashkimi me Europën është rrugë e dy korsi. Është korsia e përditshme e reformave e masave, vlerësimeve faktike nga Komisioni Europian dhe politike, sepse është një familje politike që vendos përtej atyre që janë kritere objektive. Ne kemi parë që ndërkohë që negociatat përsa i përket të detyrave tona dhe vlerësimit të komisinot janë rekomanduar të fillojnë, dera na ka qëndruar e mbyllur duke na shtyrë në kohë."
Kryeministri Edi Rama iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në ambientet e QSUT-së. Rama iu nënshtrua operacionit për hernien inguinale, ose e thënë ndryshe heqjen e ‘dhjamthit’, siç njihet në gjuhën popullore./ ZËRI