TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) deklaron se nuk ekziston asnjë njoftim në sistemin europian të sigurisë ushqimore RASFF për Shqipërinë në lidhje me formulën e qumështit për foshnja të markës “Kendamil”, pavarësisht raportimeve ndërkombëtare për tërheqjen e disa produkteve nga tregu për shkak të pranisë së një toksine të quajtur cereulide.
Media ZËRI, pasi raportoi lajmin, iu drejtua me një kërkesë për informacion AKU-së për të pyetur nëse institucioni është në dijeni të këtij rasti dhe çfarë masash janë ndërmarrë. Në një përgjigje zyrtare, AKU bën të ditur se, pas verifikimeve të kryera nga strukturat përkatëse, nuk ka asnjë sinjalizim në këtë sistem për këtë produkt në vendin tonë.
“Pas trajtimit të rastit dhe verifikimeve të kryera nga sektorët përkatës, nuk ekziston asnjë njoftim nga sistemi ‘RASFF’ për Shqipërinë, në lidhje me formulën e qumështit për foshnja, të markës ‘Kendamil’”,- thuhet në reagim.
Ndërkohë, sipas autoriteteve kanadeze, disa lote të produktit “Kendamil Infant Formula with whole milk” janë tërhequr nga tregu në shkurt 2026 për shkak të rrezikut nga prania e mundshme e toksinës cereulide. Produktet e prekura i përkasin vetëm dy loteve specifike, me kode 897274 dhe 888632, të prodhuara në maj 2025 dhe të shpërndara vetëm në rrjetin Costco në Kanada./ZËRI


