SPANJË- Eralbi Braçani, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK për çështje të lidhura me trafikun e narkotikëve është vetëdorëzuar në Spanjë. Eralb Breçani, djali i ish-zëvendësdrejtorit të policisë së Tiranës Erzen Breçanit, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Eralbi Breçani së bashku me Ergys Dashin dhe persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, për trafikimin e 446 kg sasi kokaine nga Amerika e Jugut për në Holandë, ku në datën 05.01.2021 u bë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese si dhe arrestimi i një shtetasi holandez.
Në kërkim vijon të jetë kreu i grupit kriminal, Ervin Mata, që njëherazi është dhe kunati i Eralbi Breçanit.
Hetimet për dosjen u mbyllën në gusht të 2024. SPAK dërgoi për gjykim 11 persona, mes tyre edhe ish-funksionarët e Policisë së Shtetit, Erzen Breçani dhe Dedan Gjoni. Të gjithë akuzohen se janë pjesë e një grupi kriminal me role dhe detyra specifike nga financimi dhe porositja, deri te transporti e shpërndarja e lëndëve narkotike. Droga vinte nga vendet e Amerikës Latine,e siguruar nga i ndjeri Ergys Dashi dhe më pas shpërndahej nëpër Europë nga Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit. Si porositës dhe financues të blerjes së drogës janë identifikuar Ismail Zeneli, Artan Sulejmani dhe Eralbi Breçani. Sipas SPAK, Erzen Breçani pastronte paratë e grupit. Grupi shfrytëzoi pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare, në këtë rast Dedan Gjoni dhe Jonida Babameton, në mënyrë që disa prej anëtarëve të grupit t'i shpëtonin drejtësisë. Ky grup i strukturuar kriminal është i përfshirë dhe në disa tentativa vrasjeje. Ismail Zeneli në bashkëpunim me Bujar Ajetin, Adrian Cenajn dhe Dedan Gjonin kanë bashkëpunuar për të vrarë Edmond Nelën, Albert Nelën dhe Xhem Krasniqin. Po ashtu, rezulton se Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur vrasësin me pagesë, tashmë të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani që të kryente disa vrasje për llogari të personave të lartpërmendur. Madje Cenaj dhe Ajeti e kanë strehuar disa herë Dumanin në mënyrë që t'i shpëtonte Policisë./ZËRI



