Aktualitet

Hidhet shorti, caktohet treshja gjykuese që do të "vulosë" fatin e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit

Më 18 mars, pas rreth 7 muajsh seancë paraprake, dosja ndaj të pandehurve kaloi për gjykim.

zh.ll
Hidhet shorti, caktohet treshja gjykuese që do të
monika kryemadhi-ilir meta

TIRANË- Është hedhur shorti për trupën gjykuese që do të shqyrtojë dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe bashkëpandehurve të tij.

Gjyqtarja Etleva Deda është caktuar me short elektronik si gjyqtare relatore për çështjen ku përfshihen Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. Në trupën gjykuese do të jenë gjithashtu edhe gjyqtarët Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka.

Më 18 mars, pas rreth 7 muajsh seancë paraprake, dosja ndaj të pandehurve kaloi për gjykim. Dosja përfshin tre hetime, çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror.

Meta akuzohet për tre vepra penale, për fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion. Po të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-deputeten dhe ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi. Ish-presidenti ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e detyrimit për paraqitje.

Meta dhe Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.

Për dyshimet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave, në gjyq është çuar edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit dhe Ema Çoku. Ndërkohë, Pirro Xhixho përballet me akuzën për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Hetimi nisi në vitin 2019 pas dy kallëzimeve të mbërritura në SPAK./ZËRI

Poll

MOS HUMB