
TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar la në burg dje ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, pas një seance maratonë që zgjati pothuajse 6 orë. Beqaj kërkoi lirimin e tij, kundrejt garancisë pasurore, duke mohuar akuzat e SPAK për fshehje pasurie apo mashtrim me pasoja të rënda.
Sipas Ora News, një prej provave që i ka shërbyer SPAK-ut, për të faktuar se Ilir Beqaj është pronar faktik i restorant ‘GZONA’ janë edhe komunikimet e kryera nga punonjësit e restorantit të cilët duket se i raportojnë për largimet nga puna, siç rezulton nga bisedat e përgjuara, ku administratori Gazment Prenga ka kryer me shtetasin Vladimir Prenga (ish-punonjës në këtë restorant).
Gjatë komunimeve ai shprehet se Ilir Beqaj “i ka të gjitha” dhe “çdo gjë e vendos Ermali”, duke kuptuar kështu se bisedat e komunikimet me personelin e restorantit dhe kontrollin mbi këtë subjekt ai i kryente nëpërmjet Ermal Kurtulajt.
Po ashtu rezulton se edhe familjarët e personit nën hetim, bashkëshortja dhe vajza e tij, në komunikimet e tyre flasin për “Gzonën” dhe për ndryshimet e bëra aty, fakte të cilat tregojnë për lidhjen e tyre me këtë restorant.
Në biseden (dt. 07.07.2023) rezulton se biseda zhvillohet mbi ditën ky kontakti “Deborah Beqaj” pyet se “Si kaluat mbrëmë?”, ndërkohë kontakti “Ada Cuci” i pergjigjet se:
“Mirë shumë. Te Gzona është bërë shumë nice me ndryshimet e reja… Oo kanë bërë shumë. Ka ardh një çun i ri që merret aty … Është shtruar poshtë me drasa dhe është bërë me 2 pjesë’‘.
GJKKO bëri me dije një ditë më parë se ish-ministri është i dyshuar për kryerjen e veprave penale: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Në seancën që zgjati rreth 6 orë, GJKKO vendosi gjithashtu lënien në burg të bashkëpunëtorit të Beqajt, Ermal Kurtulaj, edhe pse ky i fundit po ashtu si ish-ministri ofroi që të jepte garanci pasurore. Të vetmit që iu ndryshua akuza ishte Alfred Nikollaj.
/ZËRI