
TIRANË- Ilir Beqaj, një prej ministrave më të akuzuar të 3 mandateve në qeveri të socialistëve, u vu sot në pranga, për shkak të abuzimit me fondet e BE-së, kur ai ishte në krye të SASPAC. Arrestimi i Beqajt është paraprirë nga muaj të gjatë hetimesh nga ana e SPAK, ku pjesë e skemës ishin dhjetra biznese që ishin të lidhur me Ilir Beqajn dhe Ermal Kurtulajn.
Një prej tyre e ka trajtuar gjerësisht edhe ZËRI, restoranti “Me nam”, jo prej emrit, po prej Ermal Mamaqit që rezultonte të ishte pronar i tij, ndërsa biznesi u nxor në shitje disa muaj pas skandalit.
Në dosjen e SPAK, rezultonte se “Me Nam” kishte lëshuar tre fatura kundrejt “AS TEK IPA, ITALI-MALI I ZI”, drejtoreshë e kësaj shoqërie rezultonte të ishte shtetësja Genola Velo, e cila po ashtu ishte pjesë e Agjensisë së Programit Strategjik të Koordinimit të Ndihmës”, pjesë e së cilës ishte dhe ish-ministri Ilir Beqaj.
Rezulton se faturat fiktive janë lëshuar nga Fisnik Fili, por që në të vërtetë i përkasin restorant “Gzona” tek Kalaja e Tiranës. Lëshimi i këtyre faturave fiktive është bërë me qëllim që të fshihet fakti që Ilir Beqaj është pronar i “Gzona”.
Pavarësisht se emri i restorantit të tij përmendej nga SPAK, Ermal Mamaqi do të bënte një reagim të vonuar në lidhje me rastin, duke pretenduar se ai nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore dhe se nuk është pjesë e asnjë skeme pastrimi parash.
Disa muaj më vonë, restoranti “Me nam” u nxor në shitje, ndërsa deklaronte balance negative. /ZËRI