
TIRANE- Prokuroria e rrethit Elbasan ka vendosur sot të shpallë moskompetencën duke ia kaluar për hetim çështjen e grupit të Laert Haxhiut, Prokurorisë së Posaçme, SPAK. Janë 13 të arrestuar dhe 3 persona të shpallur në kërkim që pritet të hetohen tashmë nga SPAK. Ata akuzohen për vrasje, vrasje të mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe vendosje tritoli.
Grupi u zbulua pas dëshmisë së Artan Tafanit, autor i grabitjes së një pike Tele.co në zonën e Astirit, ku bashkë me Enio Meçajn mori 30 mijë euro.
Edhe kjo ngjarje i ka kaluar tashmë për hetim SPAK.
Bashkë me të arrestuarit, në hetimin e SPAK do të jetë edhe Laert Haxhiun, për të cilin autoritetet greke i dhanë dje dritën jeshile ekstradimit në Shqipëri.
Në muajin korrik, Haxhiut iu provua edhe autorësia e një tjetër vrasje, ajo e Besnik Hidës, i afërm i Zamir Latifit, njërit prej viktimave të masakrës së Lushnjës në 2017-ën. Ai është dënuar për vrasje të mbetur në tentativë me 18 vjet burgim për një ngjarje të regjistruar në 2016 dhe është në gjykim, në Gjykatën e Posaçme për vrasjen e dyfishtë në Lushnjë në 2017, ku humbën jetën Zamir Latifi e Jurgen Hoxha, si dhe u plagos Marjus Xhepexhiu. Për këtë të ngjarje, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili janë dënuar me burgim të përjetshëm./Zëri.ai