
TIRANË- Në seancën e sotme plenare që do të mbahet në Kuvend, një prej projektligjeve që pritet të kalojë është ai për shoqëritë e shërbimit të sigurisë private, që me ndryshimet e propozuara tashmë mund të drejtohen dhe hapen dhe nga shtetas të huaj që vijnë në Shqipëri.
Në nenin 13 të këtij projektligji thuhet se shtetasi i huaj gëzon të drejtën që të jetë punonjës por edhe drejtues teknik i kompanive ‘Security’, duke u pajisur fillimisht me leje, dhe duke marrë edhe një miratim paraprak nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kjo sipas disa ekspertëve të fushës mund të sillte rriskun e krijimit të grupeve të armatosura të huaja në Shqipëri, duke marrë si shembull rastin e fundit që ndodhi në Kosovë, me grupin terrorist serb.
Çfarë thuhet shprehimisht në projektligjin që do të kalojë sot në Kuvend, për DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.75/2014, “PËR SHËRBIMIN PRIVAT TË SIGURISË FIZIKE”
Neni 13, pika 2
2. Shtetasi i huaj gëzon të drejtën të certifikohet si drejtues teknik dhe punonjës shërbimi i subjektit nëse plotëson, përveç kritereve të veçanta të përcaktuara në këtë ligj, edhe kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë i pajisur me leje unike sipas parashikimeve të ligjit nr.79/2021 “Për të huajt”;
b) Të marrë miratimin paraprak nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit;
c) Të përmbushë kriterin e besueshmërisë, sipas kuptimit të këtij ligji.”
Në relacionin e ligjit që është depozituar nga Këshilli i Ministrave në Kuvend thuhet se menaxhimi i shërbimi të Security bëhet kryesisht nga ish-punonjës policie të niveleve të ndryshme dhe ish-ushtarakë të forcave të armatosura që kanë mbaruar arsimin e lartë policor ose ushtarak, të cilët janë drejtuesit më të lartë teknik për organizimin, drejtimin dhe kontrollin e tij.
“Nga studimi i praktikës së deritanishme arrijmë në konkluzionin se duhet të rregullohen disa aktivitete në shërbimin privat të sigurisë fizike, duke përmbushur kështu edhe disa objektiva si:
1. Forcimi i kritereve që nga marrja e licencës, trajnimi i punonjësve, rekrutimi tyre etj.
2. Garantimi i zbatueshmerisë së ligjit nëpërmjet miratimit të akteve nënligjore në zbatim të tij;
3. Forcimi i rregullave dhe procedurave të rekrutimit në subjektet e shërbimit privat të sigurisë fizike, me qëllim parandalimin dhe përjashtimin e personave të papërshtatshëm.
4. Rritja e efiçencës së kontrolleve të strukturave të Policisë së Shtetit ndaj këtij shërbimi, duke vendosur një rregjim të rreptë kontrolli dhe monitorimi, sepse ende nga subjektet e SHPSF-së ka shkelje të ligjit, mosplotësim të detyrimeve ndaj punonjësve të punësuar etj.
5. Forcimi i regjimit të kontrollit të armatimit në zotërim të këtyre subjekteve, duke bërë reduktimin e tyre dhe eliminimin e armatimit ushtarak të sulmit nga arsenali i tyre.
6. Parashikimi i masave shtrënguese në drejtim të automjeteve të blinduara që këtij shërbimi i janë dhënë në dispozicion, me qëllim përdorimin e tyre vetëm për qëllimin për të cilat ato janë miratuar”, thuhet në relacionin e Këshillit të Ministrave.
Projektligji i plotë:
Zëri.ai