
TIRANË- Një protestë është duke u zhvilluar nga minatorë dhe ish-minatorë përpara Kuvendit, ku ka pasur përplasje dhe me pononjësit e policisë.
Një prej tyre papritur është ndjerë keq dhe është shtrirë përtokë, ndërsa është shprehur se ka probleme me zemrën dhe diabetin.
Një tjetër prej tyre i është drejtuar Parlamentit me një megafon, por është ndaluar nga një efektiv i policisë, i cili e ka tërhequr pas.
“Këta nuk janë punonjës të shtetit, po këta janë idiotë, si nuk ju vjen turp, mos prek kme dorë”, janë vetëm disa nga thirrjet e protestuesve.
Kjo është protesta e dytë që zhvillojnë minatorët para Kuvendit, pasi edhe javën e kaluar ata u grumbulluan jashtë seancës. Ata iu kërkojnë deputetëve që të deputetëve në rend dite shqyrtimin e ligjit për Statusin e Minatorit.
Në dhjetor të 2020 minatorët përmes Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës i dorëzuan Kuvendit një peticion me 10 mijë 680 firma për Statusin e Minatorit. Tre vite më vonë Kuvendi nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë peticion.
Përmes miratimit të Statusit të Minatorit, ata kërkojnë:
Sigurimin e jetës për minatorët
Rritjen e pagave dhe përfitimeve të tjera për minatorët
Rritjen e pensioneve për minatorët
Garantimin e kujdesit shëndetësor për minatorët dhe ish minatorët
Statusi i Minatorit shërben për minatorët dhe familjet e tyre. Nëse minatori vritet, aksidentohet apo ka një sëmundje të rëndë, familja apo minatori marrin mbështetje financiare përmes statusit.
“Statusi i Minatorit” ka një historik të gjatë premtimet të pambajtura. Në 2009, kryeministri Edi Rama, atëherë kreu i opozitës, ka premtuar disa herë miratimin e “Statusit të Minatorit”.
Rama u bë kryeministër 4 vjet më vonë, por statusi i minatorit është shumë larg miratimit.
Në vitin 2018 ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri deklaroi se po punohej për të dhe se shumë shpejt do të kishte një draft përfundimtar për “Statusin e Minatorit”.
Në 2018 Rama i shoqëruar nga ministrat Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri bëri një takim me themeluesit e sindikatës së minatorëve “Janar 1991”, ku premtoi sërish miratimin e statusit.
Në 2017 u propozua një projektligj për miratimin e Statusit të Minatorit nga deputeti i qarkut të Dibrës pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mazhoranca e rrëzoi propozimin, me argumentin se dëmtonte skemën e pensioneve.
Minierat mbeten ndër sektorët me riskun më të lartë të aksidenteve, ku një pjesë e tyre nuk raportohen. 7 minatorë janë plagosur gjatë 2023, sipas të dhënave të Policisë të raportuara në media.
39 persona kanë humbur jetën gjatë viteve 2008 – 2022, vetëm në subjektet e licencuara. Numri i minatorëve që kanë humbur jetën në subjektet pa licencë mbetet i pa përcaktuar.