TIRANË – SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në lidhje me privatizimin e ish-furrës së bukës.
Ndaj Ahmetaj është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës, me vlerë rreth 7 miliardë lekë, ndërsa ish-ministri ëështë në kërkim ndërkombëtar prej muajsh, në lidhje me inceneratorin e Elbasanit dhe për pasurinë e pajustifikuar. Ndërkaq, SPAK ka vijuar hetimet edhe për 7 persona të tjerë, punonjës të Ministrisë së Financave, por edhe biznesmenit Lirim Fezollari. Sipas akt-akuzës, Fezollari ka përfituar nga privatizimi në kohën që Ahmetaj ishte ministër i Financave. Biznesmenit i është komunikuar akuza përmes avokatit të tij.
Në akuzë thuhet se Ahmetaj dhe Fezollari kanë pasur marrëdhënie përtej komunikimit institucional. Nga kjo marrëdhënie është arritur të privatizohen edhe aksionet e “Buka Sh.a’”. Këtë procedurë, paraardhësi i Ahmetaj, Shkëlqim Cane e kishte refuzuar. Edhe Cani u pyet muaj më parë nga Struktura e Posaçme në lidhje me këtë çështje.
Prona e cila ndodhet në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës dhe përfshin mijëra katror truall, i është njohur prej vitesh familjes Myderzi, nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit. Dyshohet se biznesmeni Lirim Fezollari është bërë përfitues përmes një procedure ankandi, të hapur në vitin 2014 dhe kanë vazhduar më tej procedura e ankande, deri më 2022.
Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar, teksa mbi të rëndojnë akuzat “Korrupsion pasiv”, “Fshehje pasurie” dhe “Pastrim parash”. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto./ZËRI/