Aktualitet

Ahmetaj "pajton" një firmë në SHBA për opinion mbi hetimin ndaj tij: Akuzat, sulme politike

Ish-ministri deklaron se raportin ua ka dërguar institucioneve kryesore në Shqipëri dhe përfaqësive diplomatike, por nuk sqaron sa i ka kushtuar dhe ku bazohet pavarësia e një studimi që mund të jetë paguar prej tij. 

f.g
Ahmetaj "pajton" një firmë në SHBA për opinion mbi
Arben Ahmetaj, ish-minister

TIRANE- Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, që prej më shumë se 4 muaj është në arrati, ka pajtuar një firmë ndërkombëtare në SHBA, për një ekspertizë të pavarur në lidhje me hetimin e SPAK. Ahmetaj deklaron se përfundimi i raportit tregon që hetimet e SPAK për të janë sulme të motivuara politikisht ose nga të tjerë. Ish-ministri deklaron se raportin ua ka dërguar institucioneve kryesore në Shqipëri dhe përfaqësive diplomatike, por nuk sqaron sa i ka kushtuar dhe ku bazohet pavarësia e një studimi që mund të jetë paguar prej tij. 

REAGIMI I PLOTË:

Të nderuar Qytetarë,
Në vazhdën e persekutimit politik për më shumë se një vit e gjysëm, të vazhduar e orientuar në media (të financuara nga inceneratorët) dhe në institucionet e akuzës, u detyrova të kërkoja një Opinion të dytë të pavarur (Indipendent Second Opinion) nga një firmë ligjore ndërkombëtare me qendër në SHBA.

Firma ligjore “Nixon Peabody” mori në shqyrtim të gjithë raportin e SPAK paraqitur në kërkesën që ky i fundit dorëzoi në Kuvend për heqjen e imunitetit parlamentar. Firma ligjore “Nixon Peabody” pas disa muajsh punë me bashkëpunëtorë me eksperiencë të fushës (ish-prokurorë federalë, apo ish-investigatorë të institucioneve ligjzbatuese amerikane) kanë prodhuar një raport të gjatë prej 420 faqesh duke u bazuar në standardet ndërkombëtare, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Në raport ka dhe një përmbledhje prej 38 faqesh, ku bie në sy një nga konkluzionet e “political motivation or others…”, pra sulme te orientuara politikisht, për akuzat e ngritura ndaj meje, përmbledhje e cila mund të lexohet lehtësisht nga kushdo i interesuar.

Këtë raport ia kam dërguar Ministrit të Drejtësisë, Kryetares së Kuvendit, Kryeinspektorit Metani, si dhe disa përfaqësive të huaja të shteteve dhe institucioneve që kanë kontribuar në reformën në drejtësi. Më poshtë kam atashuar linkun e materialit të plotë, i cili është lehtësisht i aksesueshëm. Tashmë nuk kam më as habi, e as çuditem nga goditjet e orientuara, të kaluara, të tashme e të ardhme. Nuk kam çudi as nga standardet e aplikuara. Në të ardhmen e afërt do të komunikoj në detaje për akuza / supozime e përtej…

Vetë Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut dhe akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Paralelisht me dosjen e inceneratorëve, Ahmetaj është marrë i pandehur dhe për privatizimin e ish-shoqërisë shtetërorë Buka, e cila i është dhënë biznesmenit Lirim Fejzollar, i cili ka ndërtuar në atë zonë një qendër tregëtare. Ahmetaj akuzohet për dëmin që i ka shkaktuar ish-pronarëve të tokës në fjalë, edhe pse vetë ai pretendon se ka mbrojtur interest e shtetit, duke rritur vlerat e aksioneve.

Ahmetaj ka zgjedhur që të gjithë betejën e tij ligjore ta bëjë nga arratia, duke u arratisur jashtë vendit që prej muajit Korrik. Madje ai ka hedhur akuza se hetimet e Prokurorisë janë të nxitura dhe të montuara politikisht, duke hedhur hije dyshime dhe te aleatët e tij të dikurshëm në Partinë Socialiste. /ZERI

 
Poll

MOS HUMB