
TIRANË- Drejtori i IKMT-së në Sarandë, Nasip Hoxha, është vënë në prangat e policisë mbrëmjen e ndjeshme pasi akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Mësohet se ai nuk është ndjerë mirë në momentet e arrestimit, dhe është dërguar me urgjencë drejt spitalit.
Sipas hetimeve mësohet se kreu i IKMP, Nasip Hoxha lejoi disa qytetarë të kryenin ndërtime. Më herët janë ndaluar nga policia 6 zyrtarë të IKMT për ndërtimet pa leje në bregdet. Hoxha ishte në detyrë prej rreth 5 muajsh. Ai është drejtori i tretë radhazi i INUV ne Bashkinë Sarande që ndalohet me urdhër të Prokurorisë së Sarandës në harkun kohor të 19 muajve.
Njoftimi i policisë:
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, bashkia Sarandë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacionit policor të koduar “Mjegulla”, në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kanë ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Sarandës për shtetasin:
N. H., 57 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, bashkia Sarandë.
Ky shtetas akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm, për të kryer ndërtime pa leje, në territorin e bashkisë Sarandë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.